Ish-ambasadorja serbe e OSBE-së: Serbia po largohet nga Evropa, fajin e ka Vuçiqi

08 maj 2025 | 08:02

Marrëdhënia mes regjimit aktual në Serbi dhe rrugës drejt integrimit evropian duket se po lëkundet gjithnjë e më shumë. Kjo po bëhet e qartë jo vetëm për shkak të veprimeve të qeverisë serbe, por edhe për shkak të kritikave që po vijnë nga instancat më të larta të Bashkimit Evropian, përfshirë Strasburgun dhe Brukselin. Një sinjal i qartë ishte edhe vizita e Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, në Beograd, ku theksoi mungesën e reformave që qytetarët po kërkojnë tashmë prej pesë muajsh.

Në deklaratat e saj, Marta Kos nuk kurseu kritikat duke thënë se “reformat në Serbi janë të domosdoshme, sepse kjo është ajo që qytetarët kanë kërkuar vazhdimisht”. Kjo përforcoi qëndrimin e BE-së për dështimin e autoriteteve serbe në përmbushjen e angazhimeve të tyre.

Në të njëjtën linjë ishte edhe eurodeputeti Tonino Picula, raportues për Serbinë, i cili theksoi se rënia e një ndërtese publike është bërë simbol i korrupsionit sistematik dhe nepotizmit në vend. Këto kritika u përfshinë edhe në një rezolutë të miratuar nga Parlamenti Evropian.

Udhëtimi i fundit i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë konsiderohet një sinjal i qartë i largimit nga rruga e BE-së. Ndërkohë që vendet e rajonit përpiqen të harmonizohen me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Serbia duket se po ndjek një kurs të kundërt.

Sipas Branka Latinoviq, ish-ambasadore e Serbisë në OSBE, megjithëse nuk ka deklarata të hapura për humbje besimi mes BE-së dhe Serbisë, deklaratat e Marta Kos e bëjnë të qartë se marrëdhënia është në një pikë kritike.

Latinoviq thekson se qeveria serbe ka qenë shumë e ngadaltë në përmbushjen e reformave dhe zotimeve që vetë ka marrë.

Ajo kujton se Vuçiq në fund të marsit kishte premtuar zbatimin e reformave, por deri tani vetëm një prej tyre është pjesërisht realizuar – çështja e Këshillit të REM-it. Për më tepër, udhëtimi në Moskë përbën një provokim serioz për BE-në dhe është një pengesë e madhe për hapjen e Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit, i cili përfshin politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Sipas saj, Serbia nuk është vetëm e paangazhuar në përputhjen me politikat evropiane, por madje edhe e hapur në qëndrime të kundërta me to.

Latinoviq thekson se harmonizimi i politikës së jashtme është një kërkesë themelore në procesin e integrimit dhe Serbia, në vend që të paraqitet si partner i besueshëm, po shfaqet gjithnjë e më shumë si “shtet problematik”.

Në një kohë kur Bashkimi Evropian ka përmendur vitet 2027 ose 2028 si horizonte për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mungesa e Serbisë në këtë listë përforcon idenë se rruga e saj drejt BE-së është më shumë deklarative sesa reale. Me ritmet aktuale dhe me qasjen konfrontuese të Beogradit, duket se BE-ja do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të shohë në Serbinë një aleat të ardhshëm dhe jo një pengesë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…