Ish-deputeti Hisen Berisha bën thirrje për bashkim të forcave të djathta dhe nacional-demokratike
Ish-deputeti Hisen Berisha ka bërë thirrje për bashkim të forcave të djathta dhe nacional-demokratike.
Ai ka theksuar se në Kosovë ka filluar kampanja për balotazhin e zgjedhjeve lokale dhe sipas tij është një moment i rëndësishëm politik që do të përcaktojë drejtimin moral, ideologjik dhe shtetformues të vendit për vitet në vijim.
“Në këtë fazë të rëndësishme, bëjmë thirrje të hapur dhe të përgjegjshme për bashkim dhe mbështetje të ndërsjellë të të gjitha subjekteve politike që i përkasin filozofisë së djathtë, nacional-demokratike dhe konservatore, pavarësisht dallimeve të vogla apo interesave momentale”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Sipas tij, asnjë arsye, kalkulim apo përafrim i përkohshëm me forcat e majta social-neokomuniste nuk mund të arsyetohet, sepse nuk mund të qeveriset bashkë në mes të djathtëve që besojnë në Zot, në vlerat e familjes, në shenjtërinë e pronës, në Kushtetutë dhe ligj, dhe të majtëve që mohojnë këto parime themelore, duke e vënë njeriun, besimin, familjen dhe shtetin në shërbim të partisë dhe ideologjisë.
“Ne e njohim mirë këtë filozofi nga periudha e komunizmit bolshevik pesëdhjetë vjeçar në Jugosllavi, ku prona trajtohej si e përbashkët dhe njeriu shndërrohej në mjet për pushtet, ndërsa ligji dhe Kushtetuta personalizoheshin nga lideri, duke u mbivendosur mbi shtetin dhe institucionet”.
“E njëjta frymë po rikthehet sot në formë të re, përmes autokracisë së pushtetit aktual që e ka identifikuar shtetin me unin e individit, i ka kapur institucionet e drejtësisë dhe i sfidon ato publikisht me slogane të njohura si: “Unë nuk ju erdha ju, e ju po guxuat ejani më merrni!” Deklaratë e drejtuar ndaj Prokurorisë Speciale për rastin e vjedhjes së rezervave shtetërore”, ka shkruar ai.
Berisha ka thënë se të njëjtin model e pamë edhe së fundmi, kur u propozua një buxhet shtetëror nga një qeveri pa legjitimitet kushtetues, në kundërshtim të hapur me vendimin e Gjykatës Supreme, Kushtetutën e Republikës dhe Ligjin për Qeverinë. “Por vetëm në shërbim të qëllimit elektoral. Prandaj, është koha që e djathta politike dhe nacional-demokratike të ngrihet në përgjegjësi kombëtare, të bashkohet dhe të mbështesin njëra-tjetrën me votë, me qëndrim dhe me vetëdije shtetërore, për të larguar nga sistemi politik dhe institucional këtë mortaj lindore, majtiste dhe anti-demokratike, që po e çon vendin drejt autokracisë dhe dekadencës”, ka thënë ai.
Berisha ka pohuar se jy apel është më shumë se politik, është moral, qytetar dhe shtetformues.
“Është thirrje për bashkim në mbrojtje të Republikës, të lirisë dhe të vlerave që e ndërtuan Kosovën si shtet perëndimor, demokratik dhe kushtetues”, ka theksuar ish deputeti Hisen Berisha.



