Ish-diplomati amerikan: Remi, Haradinaj dhe Rama ishin kundër riorganizimit, kishin ndjesinë e pavarësisë

25 mars 2024 | 18:51

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka thënë se komandantët Rrustem Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Rrahman Rama ishin kundër riorganizimit të zonave të UÇK-së.

Ai tha se ata kishin fuqinë të rezistonin për shkak të burimeve të veta të financimit dhe atyre për të siguruar armatime.

 “Ne e dinim që kishte rezistencë ndaj riorganizimit të zonave të UÇK-së nga 7 në 3. Megjithatë, disa prej komandantëve të zonave, në veçanti Remi që ishte komandant i Zonës Operative të Llapit dhe Ramush Haradinaj nga Zona e Dukagjinit, pra komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ata të dy shprehimisht na kishin thënë që ishin kundër këtij riorganizim dhe ishin kundër që të ishin të varur apo nën varësinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që u organizua diku nga fundi i verës. Ata kishin këtë qëndrim dhe ishin kundër se kishin fuqinë që të rezistonin. Ata kishin burimet e veta, kishin financimet e veta dhe kishin mjetet e veta për të siguruar armatime”, tha Byrns, shkruan Demokracia.

Byrnes tha se Remi iu kishte thënë se ai po blinte armë nga një kolonel i Ushtrisë Jugosllave, të cilin po e paguanin me marka gjermane.

“Po iu them një anekdotë. Remi që ishte komandant i Llapit na ka thënë që ai po blinte armë nga një kolonel i Ushtrisë Jugosllave në Shtabin e Korpusit të Prishtinës në Nish në Serbi dhe koloneli i dërgonte një kamion plotë me armë deri në Podujevë dhe marrëveshja ishte që ai t’i dërgonte në mënyrë të vazhdueshme periodike këto armë, në mënyrë të tillë që armët t’iu jepshin UÇK-së dhe ai do të merrte pagesën në marka gjermane. Ideja ishte që ai do të sjelltë armë në këmbim të parave”, tha ai.

Sipas dëshmitarit, të njëjtën gjë po e bënte edhe Rrahman Rama e Ramush Haradinaj.

“Ne, me sa dinim, Rrahman Rama në Zonën e Shalës po e bënte të njëjtën gjë. Edhe Ramushi vetë të njëjtën gjë me ka thënë pak a shumë, edhe ai po bënte të njëjtën gjë. Kështu që nga pikëpamja analitike, nga analiza, UÇK-ja nuk është se kishte influencë mbi këta persona dhe këta persona kishin ndjesitë e veta të pavarësisë, ishin të pavarur për shkak të burimeve dhe tamam sa i takon aspekteve ushtarake mund të bënin çfarëdo lloj gjëje që ata mendonin që iu shërbente më mirë atyre”, tha ai.

 Byrnes ka thënë se kishte vështirësi në konsolidim të zonave në UÇK për shkak të udhëheqësve të pavarur ushtarakë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Shuan Byrnes tha se pas dorëheqjes së Adem Demaçit,…