Ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës përjashtohet nga Kuvendi i LDK-së: Janë larguar edhe disa delegatë tjerë
Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Armend Agolli, ka njoftuar se është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvendin e LDK-së, i cili do të mbahet të shtunën.
Ai ka bërë me dije se për këtë gjë nuk ka marrë asnjë sqarim.
Në profilin e tij në “Facebook”, Agolli ka treguar se bashkë më te janë larguar edhe disa delegatë nga Mitrovica.
“Sot jam përjashtue nga pjesëmarrja në Kuvend, pa asnjë sqarim zyrtar. Bashkë me mua u larguan edhe 3 delegatë nga Mitrovica, si dhe disa delegatë të tjerë nga degë të tjera. Kuvendi mbahet më 31 janar dhe kur nis përzgjedhja selektive e delegatëve pa transparencë e pa kritere të qarta, procesi rrezikon me humb legjitimitetin dhe besimin”, ka shkruar ai, duke kërkuar sqarime nga partia për këtë veprim.
“Kërkoj: • arsyetim me shkrim për largimin tonë, • publikimin e listës së delegatëve dhe kritereve të përzgjedhjes/verifikimit, • trajtim të barabartë për të gjithë, pa presion e pa filtrime politike. Ldkëja forcohet me rregull e besim — jo me përjashtime”, ka shkruar ai.



