Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq e dorëzon çelësin e zyrës

19 maj 2023 | 01:20

Të enjten u bënë përgatitjet e fundit që një ditë më vonë të shkojë si duhet seanca solemne për betimin e kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky do ta nisë punën në zyrën ku e ushtruan pozitën edhe paraardhësit e tij, por që qëndroi e mbyllur me çelës për gjysmë viti, njofton Klan Kosova.

Zyra e kryetarit që gjendet në katin e dytë të objektit, ka qenë e pashfrytëzueshme që nga nëntori i vitit të kaluar, kur dha dorëheqje ish-i pari i komunës, Milan Radojeviq. Ky i fundit e ka dërguar çelësin e derës tek sot, ditë e enjte, vetëm një ditë para seancës solemne kur pritet të betohet kryetari i ri, Atiq.

Njësoj s’ka ndodhur edhe me zyrat e ish-drejtorëve komunalë të cilët ende s’i kanë kthyer çelësat. Me ta pritet të merret kabineti qeveritar, kur ta marrë pushtetin.

Kryesuesi i asamblesë komunale, Nedzat Ugljanin, thotë se në ambientet që u rihapën pas gjashtë muajve, s’u gjet diçka e pazakontë, e as ndonjë simbol serb.

Komuniteti shumicë serb në veri të Mitrovicës, nuk e pranon Atiqin për udhëheqës.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se kjo s’e zbeh rolin e kryetarit të ri, por që megjithatë duhet të ketë kujdes gjatë ushtrimit të detyrës sepse ka të bëjë me një ambient e rrethanë specifike.

Mitrovica e Veriut është e para komunë ku pati zgjedhje që po e organizon seancën solemne të betimit. Zubin Potoku, Leposaviqi e Zveçani nuk kanë dhënë ende datë zyrtare.

https://youtu.be/KwfLxUEMnFs

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Prof.dr. Skender ASANI Dua të shpreh që në fillim…