Ish-ministri i AAK-së: Të rishikohet buxheti, mos të falen gjobat për bizneset që kanë punuar pa pengesë

23 qershor 2021 | 11:17

Ish-ministri i Financave , Haki Shatri, ka thënë se është i nevojshëm rishikimi i buxhetit të shtetit.

Shatri ka theksuar se Qeveria e Kosovës deri tash do të duhej të vepronte në këtë drejtim.

Sipas Shatrit struktura e buxhetit që është tash garanton vetëm një stabilitet të situatës, mirëpo jo progres apo zhvillim dinamik.

“Rishikimi i buxhetit është ndryshim i ligjit për buxhetin. Në kushte normale zakonisht ka ndodhur një herë në vit rishikimi”.

“Normalisht edhe këta i kanë prioritetet e veta. Do të ishte dashtë në kushtet tona me veprua ma shpejt dhe jo me prit korrikun për me bë rishikimin sepse është një buxhet që është i përpiluar dhe nuk është i balancuar në bazë të hyrave dhe të dalave, por është balancuar me projeksion me huazim rreth 600 milionë parashihen hua të brendshme dhe të jashtme për të arritur me mbërri kuotën e paraparë. Brenda këtyre shifrave ka zbrit vëllimi i mjeteve për investime kapitale”, ka thënë Shatri në një intervistë për “EO”.

Më tutje, Shatri ka kritikuar edhe kabinetin qeveritar pasi që siç ka thënë ai ministrat që kanë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik rrallë janë duke u parë në seancat plenare të Kuvendit.

Ish-ministri i AAK-së ka komentuar edhe kërkesën e grupit parlamentar të kësaj partie për faljen e gjobave gjatë kohës së pandemisë. Ai ka thënë se kjo kërkesë është legjitime, por sipas tij bizneset të cilat kanë punuar pa pengesë gjatë kohës së pandemisë nuk do të duhej të faleshin.

“Grupi parlamentar e ka bërë një kërkesë dhe është legjitime dhe ata e kanë analizuar. Falja nuk e dëmton shumë buxhetin e shtetit shumë, por nuk i ndihmon aq shumë edhe bizneseve se nuk e di sa kanë pasur dënime. Ata që kanë punuar pa pengesë nuk i kisha falur. Ata që kanë krijuar të ardhura dhe obligimet tatimore dhe fiskale duhet t’i kryejnë obligimet shtetit se me nisë dhe me i falë krejt duhet me e mbyll shtetin dhe shteti falimenton”, ka thënë Shatri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza…