
Ish-ministri i Mbrojtjes: Bekim Berisha ishte simbol i sakrificës dhe besnikërisë ndaj atdheut
Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kujtuar heroin Bekim Berisha në përvjetorin e rënies.
Ai ka thënë se Bekimi nuk ishte vetëm ushtar, ai ishte simbol i sakrificës dhe besnikërisë ndaj atdheut, dëshmi e gjallë se dashuria për vendin është më e fortë se çdo rrezik.
“Sot, përulem me nderim të thellë para kujtimit të heroit të kombit, Bekim Berisha, Abeja. Ai la gjithçka pas për t’u kthyer në Kosovë dhe për t’i dalë zot lirisë sonë. Me zemër luftëtari, me shpirt shqiptari e me trimëri që frymëzon breza, ai dha jetën në betejën e Junikut. Bekimi nuk ishte vetëm ushtar, ai ishte simbol i sakrificës dhe besnikërisë ndaj atdheut, dëshmi e gjallë se dashuria për vendin është më e fortë se çdo rrezik. Më 10 gusht 1998, gjatë luftimeve të ashpra në Junik, u plagosën rëndë të gjithë shokët e togës. Po atë ditë ranë heroikisht Abeja dhe Bedri Shala, ndërsa të nesërmen, më 11 gusht 1998, ranë dëshmorë Eltoni dhe Përmeti”, ka shkruar Mehaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se si ish ushtarak dhe oficer, ish-ministër i Mbrojtjes dhe mbi të gjitha si shqiptar, ndihet krenar që historia jonë ka burra si këta.
“Lavdi e përjetshme për Bekim Berishën Abeja, Bedri Shalën, Eltonin, Përmetin dhe të gjithë dëshmorët e kombit shqiptar, të cilëve falë gjakut dhe sakrificës së tyre sot kemi ushtri, polici, shtet dhe liri”, ka shkruar ish-ministri Mehaj.