Ish-të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës vizitojnë familjet e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë

24 maj 2023 | 17:02

Një grup i të mbijetuarve të masakrës së ndodhur në burgun e Dubravës më 19-24 maj 1999 këto ditë e ka vizituar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi. Ata janë pritur ngrohtësisht nga baba i tij, Haxhi Thaçi.

Të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, Bajrush Xhemajli, Nait Hasani, Hajredin Hyseni, Isak Shabani, Xhelal Canziba, Bislim Zogaj, Ismet Mahmuti, Blerim Camaj, Defrim Rifaj, Musë Gashi dhe Sadik Zeqiri, e kanë njoftuar bacën Haxhi për vizitën përkujtuese të bërë në përvjetorin e 24-t të masakrës në Dubravë, në të cilën forcat serbe patën vrarë dhe masakruar mbi 117 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 300 tjerë, me të vetmin qëllim që nuk i përkisnin etnisë serbe.

Baca Haxhi shprehu dhimbje për ngjarjet tmerruese të 24 vjetëve më parë në Burgun e Dubravës dhe u shprehu ngushëllime familjeve të të rënëve. Gjatë qëndrimit të ish-të burgosurve në kullën e Haxhi Thaçit, ish-të mbijetuarit e masakrës u njoftuan për vizitat dhe bisedat që i bëjnë me ish-presidentin Thaçi familjarët e tij. “Kam qenë një herë në vizitë me gruan time. Aty i kam pa të gjithë. Që të gjithë po mbaheshin ashtu siç u ka hije, por diçka më ka mundu shumë, kur më kontrolluan në hyrje, më thanë ta heqë edhe plisin e bardhë. Këtë nuk mujta me e duru dhe u bërtita gardianëve në gjuhën time”, tregoi plaku nga Buroja, Haxhi Thaçi, i cili shtoi se “nuk po më dhimbet vetëm djali im, por të gjithë që janë aty, sepse janë të pafajshëm, ashtu siç keni qenë edhe ju të pafajshëm në burgjet e Serbisë”.

Në emër të të ish-të burgosurve, Bajrush Xhemajli e falënderoi për mikpritjen dhe uroi që sa më parë të kthehen në Kosovë çlirimtarët e saj të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Të mbijetuarit e masakrës në burgun e Dubravës vizitojnë familjen e Kadri Veselit

Të mbijetuarit e masakrës së ndodhur më 19-24 maj 1999 e kanë vizituar edhe familjen e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ata janë pritur nga bashkëshortja e tij, Violeta dhe fëmijët e saj. Të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, Bajrush Xhemajli, Nait Hasani, Hajredin Hyseni, Isak Shabani, Bislim Zogaj, Defrim Rifaj e Sadik Zeqiri, e njoftuan zonjën Veseli për vizitën përkujtuese të bërë në përvjetorin e 24-t të masakrës në Dubravë. Ish-të burgosurit bashkëbiseduan me fëmijët e Kadri Veselit për aktivitetin e prindit të tyre dhe për rolin e tij gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Nait Hasani ua bëri me dije fëmijëve të Veselit se edhe grupi i cili ishte në takim ka qenë nëpër burgjet e Serbisë dhe edhe disa nga ta kishin lënë fëmijët e tyre në shtëpi, por pas një kohe tani janë bashkuar dhe ua bëri me dije se do të vijë shumë shpejt dita që edhe Kadriu do t’i bashkohet familjes për ta vazhduar jetën aty ku e ka lënë, sepse Kadriu me shokë po mbahen padrejtësisht në Hagë, dhe drejtësia do ta mund padrejtësinë dhe çlirimtarët do të shpallen të pafajshëm.

Zonja Violetë i falënderoi shokët e Kadriut për vizitën e tyre bërë në Prishtinë, por edhe për vizitën që ia kanë bërë në Hagë.

Të mbijetuarit vizitojnë edhe familjen e Rexhep Selimit

Të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, në vazhdën e vizitave te familjarët e Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit të cilët po mbahen në burgun e Hagës, kanë vizituar edhe familjen e Rexhep Selimit. Ata janë pritur nga bashkëshortja e Rexhës, deputetja Shqipe Selimi.

Edhe bashkëshorten e Selimit ky grup i të mbijetuarve e njoftoi për situatën e para 24 vjetëve, ku pjesë e të mbijetuarve ishte edhe vëllai i Rexhepit, Asllani, i cili këto ditë botoi librin “Tmerri ka emër”. Naiti dhe të tjerët evokuan kujtime të hershme rreth aktiviteteve me Rexhën dhe me të tjerët, të cilët kishin filluar qysh herët të punojnë për çlirimin e Kosovës.

Shqipja i falënderoi për vizitën dhe u shprehu mirënjohje për solidarizimin e bashkëveprimtarëve të hershëm të Rexhës me të paraburgosurit që po mbahen në Hagë.

Vizitë edhe në familjen e Jakup Krasniqit

Të mbijetuarit e masakrës së Dubravës takuan edhe zonjën Sevdije Krasniqi, bashkëshorten e Jakup Krasniqit, znj. Sevdije, të cilën e njoftuan për atë që kishte ndodhur 24 vjet më parë në Burgun e Dubravës, gjithashtu folën edhe për sakrificën e Jakup Krasniqit i cili kishte mbajtur mbi 10 vjet burg për çështjen kombëtare.

Znj. Sevdije i falënderoi ish-të burgosurit politikë për këtë vizitë dhe i falënderoi që po solidarizohen dhe po kujdesen që përmes këtyre vizitave t’ua lehtësojnë sadopak dhimbjen dhe mërzinë familjarëve të tyre që po mbahen padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pas çdo vizite dhe takimi me familjarët e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, kërkesa e tyre ishte që shqiptarët duhet të jenë njëzëri në mbështetje të luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t’i bëhet me dije kujtdo se lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare.

Në ditët e ardhshme ish-të mbijetuarit e masakrës dhe bashkëveprimtarët do t’i vazhdojnë vizitat edhe nëpër familjet e çlirimtarëve të tjerë që po mbahen në paraburgim në Hagë. /Epoka e re/- Sadik Zeqiri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Galatasaray është një hap larg fitimit të titullit turk, por…