Ismajli: Situata në Gjilan është nën kontroll, janë identifikuar burimet e fundit të infeksionit me Covid-19

10 korrik 2020 | 14:21

Komiteti Emergjent i Gjilanit për parandalimin e përhapjes dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, është takuar të premten për të bërë vlerësimin, pas 27 rasteve të reja pozitive me këtë virus.

Nënkryetari Arbër Ismajli, i cili tash e katër muaj po udhëheq me operacionet, ka thënë se situata është nën kontroll të plotë, duke shtuar se janë identifikuar burimet e fundit të infeksionit.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë t’i respektojnë masat në mënyrë strikte, në pastrimin e duarve sa më shpesh, mbajtjen e distancës dhe bartjen e maskave.

Epidemilogia dr. Burbuqe Shkodra, në adresimin para mediave, ka thënë se numri numri i përgjithshëm i të infektuarve në periudhën katër mujore është 257, derisa ka pohuar se janë në pritje të rezultateve të mostrave për regjionin e Gjilanit në datat 8, 9 dhe 10 korrik.

Ajo ka thënë se ditëve të fundit situata është rënduar me shtimin e rasteve të reja, por fatmirësisht, tha ajo, gjendja pacientëve që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 është stabile.

Shkodra theksoi se do të testohen vetëm rastet që janë të hospitalizuara dhe ata që kanë shfaqur simptoma.

Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, anesteziologu dr. Ukshin Ismaili, ka theksuar se kapaciteti i këtij institucioni shëndetësor është 14 qasje të përnjëhershme me oksigjenoterapi, derisa tha se janë 50 shtretër ku mund të hospitalizohen raste eventuale.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që ndjejnë simptoma të këtij virusi, të lajmërohen në Spitalin e Përgjithshëm, i cili është në shërbim prej 24 orë dhe 7 ditë.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ishte sot pjesë e një…