Ismajli: Vendimi për “Banjskën” s’e kthen Afrim Bunjaku, por sjell qetësi shpirtërore
Avokatja Besjana Ismajli, e cila ishte pjesë e procesit gjyqësor për rastin “Banjska”, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte i pritur dhe i bazuar në prova të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Ismajli, e ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se janë shumë të kënaqur me vendimin e dhënë nga Gjykata Themelore e Prishtinës ku u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit për sulmin terrorist në “Banjskë”, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin u dënua me 30 vjet burgim.
Duke folur për procesin, Ismajli tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar prova të shumta, përfshirë komunikime, video dhe fotografi, të cilat sipas saj kanë dëshmuar lidhje të të akuzuarve me persona të tjerë të përfshirë në organizimin e sulmit.
Ajo shtoi se nga provat është konstatuar lidhje me Milan Radoiçiq dhe se planet për sulmin, sipas saj, kishin nisur shumë më herët, përfshirë edhe furnizimin me armatim dhe aktivitete të tjera përgatitore.
“Po e kemi pritur këtë vendim – është ajo që kemi kërkuar ne, Prokuroria e Shtetit dhe e kemi pritur e jemi të kënaqur me këtë vendim”, u shpreh Ismajli.
“Tashmë dihet se rasti “Banjska” lidhet me ngjarje të rënda që kanë ndodhur në shtator të vitit 2023 – gjatë administrimit të provave në sallë të gjyqit dhe gjatë hetimeve janë nxjerrë biseda, komunikime e biseda mes palëve, video e fotografi që i kemi shqytar të gjitha dhe i kemi administruar në sallë. Po, padyshim është parë një lidhje mes tre të duarve me Milan Radojqiqin – pasi planet kanë nisur shumë më herët për bërjen e planeve, marrjen e armatimit e gjëra të tjera – ne kemi pasur edhe sulme të tjera në veri para se të ndodhë ai në shtator në Banjskë. Me administrimin e provave është vërtetuar qëllimi i tyre që ka qenë destabilizimi i rendit juridik dhe të cenohet siguria e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, u shpreh avokatja.
Ajo tha se rreshteri i Policisë së Kosovës që mbeti i vrarë në Banjskë, Afrim Bunjaku, nuk kthehet më tek familja e tij, por sipas saj vendimi gjyqësor sjell një lloj qetësie shpirtërore, pasi drejtësia u vu në vend.
Ismajli theksoi gjithashtu se administrimi i provave në sallën e gjyqit ka qenë emocionalisht i rëndë për palët e dëmtuara, duke e krahasuar përjetimin me ngjarje të së kaluarës së luftës.
“Gjatë administrimit të provave në sallë të gjyqit kur i kemi parë të pranishmëve në sallë na është krijuar sidomos përfaqësuesve të palëve të dëmtuara një rikthim në kohë dhe një përjetim sikur në kohën e luftës – ka qenë emocionuese pasi kemi menduar se ato vuajtje kanë mbetur pas dhe të na cenohet siguria dhe të ballafaqohemi prapë me një grup që është stërvitur e mobilizuar mirë – pesha e krimit është e rëndë dhe dënimi me burgim të përjetshëm ishte dënimi që duhej shqiptar dhe u vendos ajo që ne kemi kërkuar. Rreshteri Afrim Bunjaku nuk kthehet tek familja më, por është një qetësi shpirtërore se mundi i tij ka shkuar në vend sot”, tha ajo.



