Istrefi: Fati i Telekomit dhe i 2500 familjeve që janë brenda varet nga shteti

15 prill 2019 | 22:12

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se institucionet qendrore e kanë në dorë fatin e Telekomit.

Ai pati ankesa se nuk kanë mbështetje nga Qeveria dhe as Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe se në mungesë të saj, Telekomi nuk do të ketë stabilitet.

“Unë kam kërkuar nga Qeveria një garancion bankar, nuk i kemi thënë na jep para. Kjo nuk është punë besimi por është një bojkot ndaj Telekomit. Ne i kemi mbi 24 milionë euro që na kanë obligime borxh. Unë them që të përdoren mekanizmat e shtetit që të mos kemi nevojë që të bëjmë ndërhyrje”.

“ Për Ligjin e Faljes së Borxheve, Telekomi i Kosovës është dëmtuar 27 milionë euro që ka falë borxhe. Banka Kreditore e Prishtinës ka bankrotuar 11.3 milionë euro dhe kam kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përdorë mekanizmin dhe më shpejt procedurat të zbatohen”.

“Kemi borxh të 13.5 milionë konsumatorëve dhe institucioneve dhe kemi gjetur rrugë ligjore që mund të shkojmë te shitja e tyre. Kemi bërë ofertë publike për kompanitë që janë të interesuar të blejnë këto borxhe të këqija që janë në gjykata prej vitit 2009. Pavarësisht kësaj po tentojmë që të gjejmë një rrugë se si të vijmë deri te arkëtimi i të hyrave që të mundim edhe pa këtë garancion bankar dhe pa mbështetjen e tyre të kemi stabilitet”.

“Fati i Telekomit dhe i 2500 familjeve që janë brenda varet nga shteti dhe institucionet tona. Kemi ardhur në një situatë që nëse vazhdojmë kështu pa mbështetje të institucioneve të dalim edhe në rrugë. Po krijohet një ndjenje e krijimit të një lufte sociale brenda, 2500 familja nuk janë pak pa i harruar edhe 1300 sa i ka Posta e Kosovës që mirëqenia e tyre varet direkt nga të hyrat tona”.

“Me ligj është e caktuar që Postës së Kosovës t’i jepet shërbimi universar postar që janë të hyra diku 1.2 milionë euro. Kjo me ligj është e përcaktuar, ndërsa nuk ka vullnet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të jepet kjo. I kemi thënë ministrit që të reflektojë sepse ligji e lejon dhe e mundëson. Me ligj është e caktuar që shpërndarjen e dërgesave ta bëjë posta, jo kompanitë private. Këtë shërbim tani e kryejnë kompani private dhe nuk na japin neve, kur me këtë shërbim mund të na lirojë diku 450 mijë euro prej obligimeve mujore që i kemi ndaj Postës. Me këto 450 mijë euro ne mund t’i themi kompanisë Nokia që mund t’ia japim këto para në muaj për ofertën që na kanë bërë. Por, nuk ka vullnet”.

Istrefi në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se Telekomi ende mbetet lider në rajon sa i përket infrastrukturës dhe shërbimeve ndaj konsumatorit.

“Telekomi në rajon është lider sa i përket shtrirjes së infrastrukturës, shërbimin që e jep infrastukrura jonë nuk mund ta japë askush në Kosovë. Konsumatori është i kënaqur sepse shërbimin e ka jashtëzakonisht mirë. Qytetarët e Kosovës kanë tanimë kanë shkarkuar aplikacionin Vala TV dhe sipas statistikave që i morë më herët del që brenda 48 orëve ka arritur që mbi 150 mijë telefona që shikueshmëria mesatare probabilitetin e ka diku 60 mijë.”.

“Te ne kjo është një risi dhe prapë jemi lider pavarësisht vështirësive kemi arritur ta krijojmë një produkt që nuk e ka ofruar askush. Përmes kësaj kemi arritur që të përfitojmë të ardhura dhe klienti është i kënaqur. Si projekt, nëse e analizojmë ka kushtuar diku 5.7 milionë, ndërsa Telekomi i Kosovës ka pasur zero investim sepse i kemi shfrytëzuar stafin që e kemi pasë. E dimë që do të kishte kushtuar kaq sepse e kemi bërë një hulumtim të tregut dhe e kemi pasë një IP-TV më herët që ka kushtuar më shumë se 5.8 milionë”.

“Përmes kësaj platforme dhe këtij shërbimi ka mundësi që të bëhet edhe smart home dhe ka mundësi që të menaxhohet edhe ngrohja, uji, rryma, hapja e garazhës apo çkado që mundësh ta instalosh përmes kësaj. E mirë tjetër është se jemi duke punuar që në të gjitha qytetet e Kosovës që të na jepet qasja në kamera të rrugës që të mund të kontrollohet ngarkesa e trafikut”.

Istrefi tha se janë duke e impelmentuar edhe një projekt që do të mund të kontrollonte shikueshmërinë në pajisjet e mençura.

“Për herë të parë po e bëj publike. Jemi në përfundim të implementimit të një projekti dhe prapë vlera e financimit të këtij projekti do të jetë kostoja zero dhe nuk i kemi kërkuar para nga Qeveria. Jemi duke e futur në sistem kufizimin e internetit për fëmijë. Kjo do të thotë që fëmijët derisa janë duke shikuar në pajisjet e mençura do të ketë kufizim që t’iu qaset programeve që nuk i dedikohet moshave të tyre. Jemi në përfundim e sipër të këtij projekti dhe mburrem për këtë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania i jep mbështetjen e saj Francës pas zjarrit të…