Izet Sarajliqi, ky ballkanas i metamorfizuar

29 janar 2019 | 18:24

Albin Mehmeti

Tema e luftës në letërsi lindi së bashku me letërsinë. E kemi të njohur Luftën e Trojës që paraqitet në veprën “Iliada” të Homerit që konsiderohet ndër veprat e para të letërsisë botërore. Më pas, autorë nga popuj të ndryshëm paraqiten luftërat e konfliktet që ndodhën gjatë historisë. Në fundshekullin e kaluar në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht ish-Federatën Jugosllave, shpërthyen katër luftëra të përgjakshme, gjithsecila më e rëndë se tjetra, por që kishin një emërues të përbashkët: agresorin e njëjtë. Ndër këto luftëra, ajo që solli më së shumti viktima e dëme ishte lufta e Bosnjës. Gjatë kësaj lufte mbahet mend rrethimi i egër i Sarajevës, kryeqytetit të Bosnjës dhe vendlindja e njërit prej poetëve më të njohur boshnjak, Izet Sarajliq, i cili për asnjë çast nuk e braktisi atë edhe pse e kishte mundësinë. Gjatë kësaj periudhe ai nuk e ndali punën që dinte ta bënte më së miri: të shkruante. Poezia është shqetësimi i shpirtit të tij. Sarajliqi jetoi me luftën e cila e preku në zemër, por edhe i vrau më të dashurit e tij. S’ka si të mos jetë ndryshe përveç se temë e poezive të tij jetë lufta, të cilën e përmblodhi në librin “Përmbledhja sarajevase e luftës”, që në gjuhën shqipe na solli Shtëpia Botuese “Armagedoni”, përkthyer mjeshtërisht nga Salajdin Salihu.

Vepra fillon me poezinë “Kënga e fundit para lufte”, ku Sarajliqi profetizon të keqen që po vinte, duke portretizuar tjetrin, kulturën dhe dashurinë e tyre si diçka të huaj e të panjohur. Për dashurinë e tyre dyshon se mos nuk e kanë fare, duke i parë krimet e mizoritë që ata i bëjnë. Më pas, në poezinë “Sa të papërgatitur hyrën në këtë luftë”, vazhdon linja sukcesive e fillimit të luftës, e një tmerri që do të ndodhte. Në këtë poezi, por edhe në gjitha poezitë e tjera, Sarajliqi e tejkalon vetveten dhe del nga identiteti i tij ballkanas, i cili në gjenet e veta ka urrejtjen për tjetrin. Sarajliqi thotë se ne ende nuk mund të urrejmë sa duhet (Sarajliq, 2017:11), pra edhe pse mizoria e luftës kishte filluar, ai nuk mund të urrejë askënd, pasi ai kishte vendosur të metamorfizohej nga ballkanasi urrejtës në një artist të vërtetë, ku urrejtja nuk do të ketë vend në zemrën e tij. Në gjithë poezitë e këtij cikli do të shohim edhe një fenomen tjetër të rrallë që do ta dëshmojë edhe më tepër metamorfizmin e Sarajliqit. Në asnjë të vetëm ai nuk e sheh luftën si lavd, por si dhimbje njerëzore, gjë e rrallë mes ballkanasve, të cilët në poezitë e këngën e tyre asnjëherë të vetme nuk qajnë për humbjen, por këndojnë për fitoret, shpeshherë fitore të sajuara, të mbushura me mite, të pavërteta e urrejtje për tjetrin.

Në poezinë “Jugosllavët e dikurshëm” paraqitet lufta që Saraliq e quan luftë brenda llojit, pasi të njëjtit gjenden para tytave të të njëjtëve që për gjysmëshekulli jetuan në ideale të bashkim-vëllazërimit që, në fund të fundit, doli të jetë vetëm një farsë.

Në poezinë “Mizerje” autori komunikon me një shkrimtare serbe, dikur mikeshë e rinisë së tij. Ai e kujton të kaluarën e tij me të, atëherë kur punonin bashkë, kur kishin miq të përbashkët boshnjakë e serbë. Por në mes të kujtimeve të bukura të së kaluarës, ai ka një brengë në zemër, se mos vallë edhe ajo, e ndikuar nga nacionalizmi serb, do t’u bashkëngjitet bandave kriminale çetnike nga Paleja. Këtu, Saraliqi paraqet opiumin nacionalist, i cili, po të hyri në trup, më s’do njohësh miq e kujtime, humanitet e vlera e, mbi të gjitha, s’do mund ta njohësh as veten. Pikërisht kjo problematikë do të trajtohet edhe në poezinë “Shiba”. hhh HH  HHistoria e regjisorit boshnjak Hajrudin Krvavac-Shiba dhe aktorit serb Bata Zhivojinoviq paraqet se deri në ç’shkallë mund të arrijë efekti i ideologjisë së urrejtjes. Nëse para lufte regjisori boshnjak e bëri të njohur aktorin serb, lufta demaskoi fytyrën e këtij të fundit, i cili i doli në krah regjimit diktatorial serb. Nëse deri dje ata ishin të pandarë, e sotmja i bëri armiq.

Thonë se koha i shëron plagët por, jo. Lufta një ditë do të përfundonte, por jo edhe plagët që Zhivojinoviq ia hapi Shibës. Sarajliqi këtë e paraqet përmes një metafore të fuqishme në vargjet: “Sa të përfundonte lufta; në rastin e parë; do t’i ndante një rol; Këtë herë; assesi një rol pozitiv; Heroi pozitiv; Bata Zhivojinoviq; kaherë ka varrosur vetën në vetvete” (Sarajliq, 2017: 20).

Në poezinë “Mëshirë njerëzore”, që është ndër poezitë më të fuqishme të krijimtarisë së Sarajliqit, paraqet kulmin e luftës dhe ekzistencës së njerëzimit dhe vlerave të tij. Për Sarajliqin, mëshira njerëzore ka vdekur. Përmes pyetjes retorike: “Mëshirë njerëzore; Ku je? A thua vetëm në libra” (Sarajliq, 2017: 22), Sarajliq në bën me dije se për të mëshira është vetëm një utopi, e cila ka mbetur vetëm brenda kopertonave të librave, e mbyllur, e burgosur dhe e vrarë nga ata që nuk e duan mëshirën.

Por në mes të kësaj lufte, ai ka një shpresë, se “një ditë do të zgjohemi në paqe” (Sarajliq, 2017: 48), paqe që u arrit dikur, pas mijëra e mijëra viktimave, një paqe e përgjysmuar e një plage të hapur që ende po vazhdon të lëngojë qoftë në Bosnjë, po ashtu edhe në Kosovë. Por, nëse do dëgjohej zëri i zemrës së Sarajliqit dhe shumë sarajliqëve të tjerë, nuk do të kishte nevojë që të shërohej asnjë plagë, pasi s’do të ekzistonte plaga, pasi s’do të kishte dorë të urrejtjes që do ta shkaktonte atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Menaxhmenti i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan pas një takimi…