Braathu: UP-ja, institucioni kyç për ndryshime pozitive në Kosovë

03 prill 2018 | 15:20

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka pritur të martën në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu.

Në këtë takim e pranishme ishte edhe prorektorja për buxhet dhe financa në UP, Myrvete Badivuku-Pantina si dhe shefi i seksionit të medieve nga Departamenti i Demokratizimit në OSBE, Dane Koruga.
Rektori Dema gjatë këtij takimi e ka njoftuar ambasadorin Braathu me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, misionin dhe vizionin e këtij institucioni.

Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të UP-së dhe misionit të OSBE-së në Kosovë. “Për rreth dy vite kemi arritur të implementojmë standarde të cilat mundësojnë qasje të barabartë për të gjithë, në të gjitha aspektet e funksionimi të Universitetit të Prishtinës. Njëherësh, kemi hapur disa qendra dhe zyre të reja, i kemi rifunksionalizuar shumë sosh të themeluara më parë, të gjitha në kuadër të rrugëtimit tonë drejt sigurimit të një ambienti sa më cilësor të mësimdhënies dhe mësimnxënies në Universitetin tonë”, ka thënë Dema.

Në anën tjetër, ambasadori Braathu ka theksuar se ndjehet shumë i lumtur që sot gjendet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ai ka përgëzuar rektorin Dema për ndryshimet e bëra në UP, të cilat sipas tij nuk është e lehtë t’i realizosh. “Universiteti i Prishtinës është institucioni kyç nga i cili mund të lindin ndryshimet pozitive në Kosovë. UP-ja është institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin”, ka potencuar Braathu.

Në këtë takim, theks i veçantë iu kushtua mundësive të bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, ku palët u dakorduan për realizimin e disa projekteve që parashihnin ligjërata të përbashkëta për studentët e UP-së, kryesisht në fushën e medies dhe ligjit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka prezantuar të martën…