Ja nga sa deputetë kanë siguruar LV-ja, LDK-ja, PDK-ja e AAK-ja në bazë të rezultatit aktual

07 tetor 2019 | 17:40

Kur kanë mbetur edhe më pak se 2 për qind të votave për t’u numëruar, në rezultatet e publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është duke prirë me 25.56 për qind ose 200 mijë e 754 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në vendin e dytë me 24.87 për qind ose 195 mijë e 296 vota, ndërsa PDK-ja e cila ka pranuar humbjen dhe shkuarjen në opozitë renditet e treta me vetëm 166 mijë e 9 vota.

Bazuar në këtë rezultat aktual, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë grupi më i madh parlamentar në Kuvend me 31 deputetë, LDK-ja 30 deputetë, PDK-ja 25 dhe AAK-ja e Haradinajt vetëm 14.

Koalicioni NISMA-AKR sipas rezultateve të deritanishme nuk ka arritur të kalojë pragun, duke ngushtuar kështu matematikat për një koalicion të mundshëm qeverisës.

Lëvizjes Vetëvendosje si forcë e parë i mbeten vetëm dy mundësi për koalicion, LDK-ja dhe AAK-ja, duke qenë se me PDK-në janë deklaruar që nuk bëjnë marrëveshje.

Kurti në orët e vona të mbrëmjes në një intervistë për “T7” ka thënë se partisë së parë që do t’i trokasë sot në derë për koalicion do të jetë LDK-ja.

Mbete të shihet në ditët në vazhdim se si do të rrjedhë procesi i koalicioneve paszgjedhore dhe se sa shpejt do të arrihet pajtueshmëri për krijimin e qeverisë së re. /Express/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar raportin “Bruto…