Ja pse Xhaka është ‘transferimi i stinorit’ sipas Rooneyt
Ylli i dikurshëm anglez, Wayne Rooney, beson se kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, është “transferimi më i mirë i edicionit në Premier League”. Sulmuesi ikonik i Manchester Unitedit ka dhënë këtë vlerësim pasi Xhaka e udhëhoqi Sunderlandin drejt fitores në derbin e zjarrtë ndaj Newcastle Unitedit.
Në fakt ishte vetëm edhe një paraqitje impresive për Xhakën.
Duke folur në “The Wayne Rooney Podcast”, legjenda angleze tha se në fillim të edicionit është frikësuar për Sunderlandin.
“Dhe më pas erdhën transferimet dhe ato ishin të shkëlqyera. Energjia dhe kualiteti me të cilën luan kjo skuadër po ashtu është e shkëlqyer. Mendoj se nga pronari dhe trajneri është bërë punë shumë e detajuar”, ka thënë Rooney.
Ai më pas foli për mesfushorin shqiptar.
“Xhaka duhet të jetë transferimi i stinorit. Ai ishte gjithnjë lojtar i mirë. Kam menduar se duke shkuar në Sunderland do të vuajë dhe nuk do të jetë transferim i mirë, por ai ishte i jashtëzakonshëm. Është aftësia e tij për të diktuar lojtarët dhe për të qetësuar lojën. Ai ishte brilant”, ka theksuar Rooney.
Shumë ish-futbollistë dhe ekspertë të njohur në Angli kanë vlerësuar lart Xhakën.



