Jagxhillar: Reformimi i administratës publike, proces i pandalshëm

16 maj 2018 | 17:10

Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Jagxhillar, ka thënë të martën se procesi i reformimit të administratës publike do të jetë i pandalshëm.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka bërë me dije se ministria që drejton është duke punuar për krijimin e një administrate publike moderne, të qëndrueshme dhe të paanshme në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

“Siç e dini, reforma e administratës publike është një proces që kërkon kohë. Aktualisht jemi në fazën finale të rishikimit të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2018-2020. Procesi i reformimit të administratës publike është fokusuar në ndryshimin apo reformimin përmes pakos legjislative dhe përmban Projektligjin për Shërbimin Civil, Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për organizimin e administratës publike”, është shprehur Jagxhillari.

Ai ka treguar se në agjendën e reformave nuk është paraparë largimi i punonjësve, por profesionalizimi dhe efikasiteti i administratës publike.

“Në qoftë se dëshirojmë të kemi shtet funksional, ofrim të shërbimeve me cilësi, llogaridhënie dhe transparencë më të lartë të institucioneve, atëherë duhet t’i zbatojmë standardet e përcaktuara me parimet e administratave publike të shteteve të Bashkimit Evropian. Në agjendën e reformave nuk është paraparë largimi i punonjësve nga  administrata, por është paraparë profesionalizimi dhe efikasiteti i administratës publike të institucioneve”, ka deklaruar ai.

Ministri Jagxhillar ka bërë me dije se gjatë muajit qershor MAP-i do t’i dërgojë për miratim në Qeveri tri ligjet bazike të administratës publike: Ligjin për Pagat, Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Organizimin e Administratës Publike.

“Pakoja ligjore për administratë publike që përfshin Draftligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Publike dhe Agjencive të Pavarura, Shërbimin Civil dhe Ligjin për Paga, do të procedohet në Qeveri gjatë muajit qershor të këtij viti. Ne jemi duke punuar intensivisht për finalizimin e pakos ligjore të reformave në administratën publike”, ka theksuar Jagxhillari.

“Epoka e re”: Z. Jagxhillar, një prej kushteve kryesore për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian është reformimi i administratës publike. Si është duke ecur procesi i reformave në administratë?
Jagxhillar: Siç e dini, reforma e administratës publike është një proces që kërkon kohë. Aktualisht jemi në fazën finale të rishikimit të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2018-2020. Procesi i reformimit të administratës publike është fokusuar në ndryshimin apo reformimin përmes pakos legjislative që përmban Projektligjin për Shërbimin Civil, Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Organizimin e Administratës Publike. Si dhe nga ana tjetër, me zbatimin e Kornizës Strategjike për Reformën e Administratës Publike që përbëhet nga katër strategji: Strategjia e Koordinimit të Politikave, Strategjia e Rregullimit më të Mirë (Legjislacionit), Strategjia e Modernizimit të Administratës Publike dhe Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike.

“Epoka e re”: Ky vit do të jetë vendimtar për reformën e administratës. Si e shihni në përgjithësi përfundimin e këtij procesi?
Jagxhillar: Ne jemi duke punuar për krijimin e një administrate publike moderne, të qëndrueshme dhe të paanshme, në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve. Kështu që, duhet të zbatohen strategjitë, konkluzionet nga takimet me BE-në si dhe nga Agjenda për Reforma Evropiane.

“Epoka e re”: Sa do të jenë sfiduese për ju si ministër modernizimi dhe avancimi i administratës publike duke pasur parasysh se në Kosovë administrata është e mbipopulluar dhe e politizuar? Do të ketë depolitizim të administratës publike si dhe largime nga vendet e punës?
Jagxhillar: Reformimi i administratës publike është një proces i pandalshëm, mirëpo ne si ministri jemi të fokusuar për përmbushjen e objektivave për reformimin e administratës publike të përcaktuara me dokumentet strategjike 2015-2022. Në qoftë se dëshirojmë të kemi shtet funksional, ofrim të shërbimeve me cilësi, llogaridhënie dhe transparencë më të lartë të institucioneve, atëherë duhet t’i zbatojmë standardet e përcaktuara me parimet e administratave publike të shteteve të Bashkimit Evropian. Në agjendën e reformave nuk është paraparë largimi i punonjësve nga administrata, por janë paraparë profesionalizimi dhe efikasiteti i administratës publike të institucioneve.

“Epoka e re”: Si qëndron Ministria e Administratës Publike sa i përket përmbushjes së obligimeve që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane?
Jagxhillar: Ministria e Administratës Publike, në zbatim të obligimeve të Agjendës për Reforma Evropiane, ka realizuar analizën cilësore të institucioneve dhe agjencive të pavarura dhe, krahas saj, ka hartuar konceptdokumentet për organizimin e administratës publike, shërbimin civil dhe paga. Koncept-dokumentet për organizimin e administratës publike dhe shërbimin civil janë miratuar nga Qeveria më 15 maj të vitit 2017, ndërsa koncept-dokumenti për paga është miratuar nga Qeveria më 9 mars të këtij viti. Grupi punues ka hartuar Draftligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Publike dhe të Agjencive të Pavarura, Shërbimin Civil dhe Ligjin për Paga, prandaj gjatë muajit maj do ta fillojmë zhvillimin e konsultimeve publike.

“Epoka e re”: Pse është zvarritur Ligji për Pagat. Mund të na tregoni se kur do ta procedoni për miratim në Qeveri, pastaj edhe në Kuvend?
Jagxhillar: Pakoja ligjore për administratë publike, që përfshin Draftligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Publike dhe Agjencive të Pavarura, Shërbimin Civil dhe Ligjin për Paga, do të procedohet në Qeveri gjatë muajit qershor të këtij viti. Ne jemi duke punuar intensivisht për finalizimin e pakos ligjore të reformave në administratën publike.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë fundjavë sikurse Vala Superliga zhvillohet edhe Liga e Parë…