Jagxhiu: ‘E-Kosova 2.0’ do të sjellë 400 shërbime të reja dhe funksione me inteligjencë artificiale
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulezon Jagxhiu, ka prezantuar të arriturat dhe projektet kryesore të realizuara gjatë 100 ditëve të para të mandatit qeverisës, duke vënë theksin te reformat në digjitalizim, modernizimi i administratës publike dhe avancimi i shërbimeve elektronike për qytetarët.
Në konferencën për medie, Jagxhiu ka thënë se një nga reformat kryesore ka qenë zgjerimi i modelit të ofrimit të integruar të shërbimeve administrative, të bazuar në ngjarje jetësore, i cili fillimisht ishte lansuar në Ferizaj dhe Gjilan.
Më tutje, ai ka bërë me dije se reforma do të zgjerohet edhe me tri shërbime të reja që lidhen me jetën e qytetarëve. “Ne jemi në prag të fillimit dhe gjatë kësaj jave do të fillojë zyrtarisht edhe zbatimi i projektit ‘E-Kosova 2.0’. ‘E-Kosova 2.0’ do të përfshijë 400 shërbime të reja administrative, do të përfshijë funksionalitete të reja duke përfshirë edhe funksionalitetet që bazohen në inteligjencë artificiale, dhe platforma është e pasuruar me siguri të shtuar”, ka thënë Jagxhiu.



