Jahjaga kërkon ndihmën e ShBA-ve për transformimin e FSK-së

11 prill 2018 | 19:53

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u takua me zëvendëssekretaren amerikane të mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi, Laura Cooper, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në vend, me theks të veçantë në proceset e sigurisë.

Presidentja Jahjaga ka falënderuar zëvendëssekretaren Cooper për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-ve gjatë proceseve të ndryshme shtetndërtuese të Kosovës, duke theksuar nevojën e përgjithshme për një angazhim më të madh evropian dhe amerikan që do t’i ndihmonte shtetet e rajonit në konsolidimin e demokracisë dhe sundimin e rendit dhe ligjit në kuadër të integrimeve euroatlantike.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua rreth procesit të transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, me ç’rast presidentja Jahjaga ka kërkuar ndihmën e ShBA-ve dhe mbështetje të mëtutjeshme.

Zëvendëssekretarja Cooper ka rikonfirmuar gatishmërinë e ShBA-ve për përkrahjen e Kosovës gjatë proceseve në fushën e sigurisë, duke theksuar se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas trajtimit në Gjermani për shkak të disa problemeve shëndetësore,…