Jahjaga: Nuk pendohem që mbrojta Shyhrete Berishën

22 shkurt 2018 | 22:35

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për herë të parë lidhur me padinë për shpifje që i është bërë nga familja e Shyhrete Berishës.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Jahjaga u pyet se a është penduar lidhur me mbrojtjen publike që i ka bërë Shyhrete Berishës.

“Absolutisht që jo, hiç, asnjë grimë. Jo vetëm rasti i Shyhretes por gjithsecila grua e cila po ballafaqohet me diskriminim kanunor dhe patriarkal të kësaj shoqërie, e ka pasë dhe do ta ketë mbështetjen dhe përkrahjen time të pakursyer dhe maksimale”, deklaroi Jahjaga.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës ndaj familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Jahjaga po ashtu foli për përjetimet e saj në takimet me Berishën.

“Kjo grua ka dhënë shumë, ka humbur shumë, ka humbur fëmijët e saj dhe bashkëshortin e saj dhe ne si shoqëri nuk mund të sillemi me një qasje mospërfillëse… Ende pa rënë në vend dheu mbi varrin e tyre (familjes së saj), kjo grua të ballafaqohet me një të drejtë që i takon me një të drejtë ku kjo ka qenë bashkëndërtuese”,  ka deklaruar Jahjaga.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me mbështetje të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri,…