Jakup Krasniqi, njeriu i sprovave të rënda

16 prill 2021 | 12:42

Shkruan: NIJAZI IDRIZI

Jakup,

Të kam parë me pranga në duar kur u takuam ne burgun e Zrenjaninit, kur mes klithmave kërcënuese të gardianëve pyete: “A di kush a shpëtoi i gjallë Hydajet Hyseni”?

Jakupin, pak kush e njeh më mirë se unë, madje as vëllezërit e tij.

Kemi fjetur në shtratin dykatësh, ti poshtë e mua si më të riun, më more aty pranë teje, lart.

Ti kam numëruar thinjat e reja kur të dilnin në mëngjes: “Jakup, këtë thinjë nuk e ke pas dje”! – e ti mbyteshe duke u qesh.

E di si flet jerm, me bashkëtingëlloret që nuk i shqiptoje dot e të cilat më shkrinin duke qeshë.

E kujtoj momentin kur i re me bisht fshese derës kur unë digjesha nga temperatura: “Heeej, njeriu po vdes”! – dhe në qetësi e gëlltite kërcënimin e Rakiqit.

Nuk e kam harruar as reagimin tënd kur nën shtratin tim policët e kishin vendosur një shufer hekuri dhe një hartë dhe më akuzuan për arratisje të dhunshme: “E keni gjetur më të riun, po mos harroni, ne jemi me të deri ne fund”!- i the në sy drejtorit të burgut.

Jakup,

E mbaj mend si e mbysje dhimbjen e barkut, për të mos na bërë merak ne që nuk kishim ç’të bënim për të të ndihmuar.

Ti kam parë lotët kur te erdhi lajmi se babin e ke te sëmurë rëndë.

Ti ishe ai që kërkoje ti ndanim me të tjerët të gjitha edhe ato pak ushqime që na i lejonin nga shtëpia për ta mbajtur shpirtin ne ditët e shumta të javës kur na sillnin thundra dhe veshë te pistë derri.

Jakup,

Ti ishe ai që na e shihje në sy mërzinë djaloshare dhe na e afroje shahun (edhe mua): “Hajde se kam me të shpartallu”! – edhe pse e ke dit që kam me të mund.

Jakup, ti ke dit me bë debat për shumë tema. Shpesh ke dit edhe me ngrit zërin.

Po një gjë nuk ke ditë: me urrejt! Madje as atëherë kur Zhika, (shok i Luba Zemuncit, vrasësit të patriotëve në emigracion), organizoi bashkë me policinë therrjen tonë në gjumë: “Nuk pritet mirë prej tyne”! – vetëm kaq.

Miq,

Arrestimi i Jakup Krasniqi është dështim i parë i drejtësisë së gjykatës tonë në Hagë.

Jakupi mund të ketë bërë gabime, se njerëz jemi, por kurrë veprime qe bien ndesh me ligjin, e për krime mos te flasim, sepse ai nuk ishte dhe nuk është njeri i krimeve. Ai një gjë kurr nuk ka mundur ta bëjë: Ta cenoj jetën dhe trupin e njeriut, ne asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim!

Për këtë e vë dorën në zjarr!

Me bindje të plotë them se nëse ka një zot, atij s’ka kush çka i bënë. E zot ka dhe ne jemi të qetë.

Mirë se vjen, (së shpejti) në Kosovën tonë, shoku im, për të cilën bëre krejt çka munde!

Nijazi Idrizi e Jakup Krasniqi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 22-vjetorit të rënies heroike të Shkëlzen Haradinaj,…