Haradinaj: Shkëlzeni, Fatmiri, Luani dhe Hasimi ishin luftëtarë të orëve të para (video)

16 prill 2021 | 12:32

Me rastin e 22-vjetorit të rënies heroike të Shkëlzen Haradinaj, Fatmir e Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

Haradinaj ka thënë se këta dëshmorë u vunë në mbrojtje të popullatës në këtë rajon, ku shmangën një masakër që kishin planifikuar forcat paramilitare serbe, raporton “Epoka e re”.

“Sot kujtomë me respekt Luan Nimanaj, i cili nuk iu përballoi plagëve në këtë betejë. Po ashtu kujtojmë Hasim Halilaj i cili ra dëshmor në përballje me forcat serbe, gjithashtu është Fatmir Nimanaj dhe Shkëlzen Haradinaj. Të gjithë këta dhe bashkëluftëtarët tjerë morën pjesë në një betejë për të shpëtuar popullatën, ku në një zonë luftë kishte familje, gra dhe fëmijë. Ishte vendimi i këtyre djemve që të mos e lejojnë një masakër mbi këto familje. Secili nga këta luftëtarë ka pasur një histori të gjatë lufte. Secili nga ta, jo vetëm që ishin luftëtarë të orëve të para, dhe me përvojë në luftime, por këta ngjallnin besim te bashkëluftëtarët e tjerë”, ka thënë Haradinaj.

Lideri i AAK-së ka folur edhe për vrasjen e vëllait pas lufte, Enverit.

“Ndërsa vrasja e Enverit është një prej ngjarjeve që flet për dëshirën e plotëve që ishin armiq të shqiptarëve, pra edhe pas luftës që të vazhdohet vëllavrasja ndër shqiptarë, e për të thënë kinse se Kosova nuk është e pjekur dhe ky popull nuk e meriton për të qenë shtet, pra një vend ku ka krim dhe ku e vrasin njëri-tjetrin, ku mbizotërojnë agjenda që nuk janë në interes të popullit. Në ditën e varrimit të Enverit iu kemi dhënë goditjen më të madhe atyre që kanë pasur dëshirë për t’i parë shqiptarët duke u vrarë mes vete. Ne në atë ditë kemi thënë ky do të jetë i fundit dhe s’ka për t’u vrarë asnjë shqiptar mes vete. Edhe sot kemi sfida, por po ju siguroj se do t’i kalojmë të gjitha. Të jeni të sigurt se Kosova ka për të ecur përpara”, është shprehur ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19 në…