Japin dorëheqje dy anëtarë të Komitetit të Nobelit, arsye edhe shkrimtari Handke

02 dhjetor 2019 | 19:31

Dy anëtarë të Komitetit të Nobelit për Letërsi dhanë dorëheqje të hënën, pjesërisht për shkak të ndarjes së çmimit Nobel për shkrimtarin austriak, Peter Handke, në muajin tetor.

Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe me gjerë, për shkak të mbështetjes së zëshme për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Kristoffer Leandoer dhe Gun-Britt Sundstrom thanë se largohen nga Komiteti i Nobelit i Akademisë së Suedisë, ku kanë qenë të emëruar si anëtarë të jashtëm.

Dorëheqjet u konfirmuan nga Akademia dhe vijnë pak ditë përpara ceremonisë së ndarjeve të çmimeve Nobel, më 10 dhjetor.

Leandoer tha se nuk ka “durim” për reformat e brendshme që ka ndërmarrë Akademia pas një skandali të përdhunimit që e ka përfshirë atë në vitin 2017.

“Akademia dhe unë kemi një këndvështrim tjetër me kohën”, ka shkruar ai në një artikull në Svenska Dagbladet.

Sundstrom, ndërkaq, listoi disa aryse për largimin e saj, përfshirë çmimin e këtij viti për Handken.

Ajo tha se ishte “e lumtur” që kishte marrë pjesë në dhënien e çmimit 2018 për poeten polake, Olga Tokarczuk, porse ishte kundër zgjedhjes së Handkes për vitin 2019, raporton “Reuters”.

Sundstrom tha se është kundër qëndrimit se “letërsia është mbi politikën” – një referencë kjo për polemikat rreth Handkes.

“Ne jemi mirënjohës për përpjekjen e rëndësishme që ata bënë gjatë vitit dhe tani po rishikojmë se si do të organizohet puna e Komitetit Nobel për Çmimin Nobel 2020 në letërsi”, ka thënë Mats Malm, Sekretari i Përhershëm i Akademisë Suedeze.

Këtë vit, çmimi Nobel për letërsi është ndarë edhe për vitin 2018, edhe për 2019, pasi, vitin e kaluar, është anuluar për shkak të skandalit të përdhunimit në Akademinë suedeze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një pune intensive dhe një bashkëpunimi efikas ndërmjet Operatorit…