Japoni: 24 milionë vaksina mbeten ende në frigorifer

07 maj 2021 | 13:53

Numri i vaksinave të papërdorura kundër covid-19 në Japoni pritet të rritet në dhjetëra miliona doza, ndërsa vendi përgatitet të miratojë dy vaksina të tjera, në javët e ardhshme. Ritmi i fushatës së vaksinimit mbetet i ngadaltë për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe problemeve teknike.

Japonia ka importuar 28 milionë doza të vaksinës Pfizer në fund të prillit, por deri më tani ka përdorur vetëm 15% të stokut të saj, me 24 milionë dozat e mbetura në frigorifer.

Furnizimi i vaksinave në Japoni pritet të rritet ndjeshëm ndërsa rregullatorët përgatiten të vendosin më 20 maj nëse do të miratojnë vaksinat Moderna dhe AstraZeneca, njoftoi rrjeti kombëtar NHK mbrëmjen e kaluar.

Grupi i parë i vaksinës Moderna tashmë ka mbërritur në vend dhe vlerësohet se 30 milionë doza të vaksinës AstraZeneca po përgatiten nga partnerët lokalë të kompanisë, raporton Ora News.

Dorëzimi i vaksinave Pfizer është vendosur të përshpejtohet në mbi 35 milionë doza këtë muaj dhe tjetrin.

Japonia ka siguruar numrin më të madh të vaksinave covid-19 në Azi, ndërsa përgatitet për Lojërat Olimpike Verore. Më shumë se 4 milionë doza u janë injektuar punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve.

Por vendi ka vaksinuar vetëm 2.2% të popullsisë së tij deri më tani dhe kjo është shkalla më e ngadaltë e vaksinimit midis vendeve të pasura.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e Bashkimit Evropian do të mblidhen në qytetin portugez…