Japonia njofton shkëputje graduale nga nafta ruse

10 maj 2022 | 23:03

Japonia është plotësisht e varur nga importet për të gjitha burimet e energjisë, duke importuar rreth 3 për qind të nevojave të saj të naftës nga Rusia.

Japonia planifikon të reduktojë gradualisht varësinë e saj nga importet e naftës nga Rusia, u citua të ketë thënë sot ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Koichi Hagiuda nga agjencia e lajmeve Tass, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komentet e ministrit Hagiuda erdhën pasi vendet e G7 thanë të dielën se varësia nga burimet ruse të energjisë do të reduktohet ngadalë për të dëmtuar tregtinë e naftës së Rusisë.

“Tani nuk mund të refuzojmë importin e naftës ruse, por jemi të gatshëm të braktisim gradualisht varësinë nga burimet ruse të energjisë, duke gjetur burime alternative të furnizimit”, tha Hagiuda.

Kryeministri Fumio Kishida kishte folur më herët për dëshirën e Japonisë për t’iu bashkuar vendeve të tjera të G7 në vendimin e tyre për të ndaluar importet e naftës ruse.

Hagiuda konfirmoi se qeveria japoneze do të njoftojë detaje rreth afateve kohore dhe hapat e nevojshme për të reduktuar furnizimet me energji nga Rusia.

Muajin e kaluar, Japonia njoftoi planet për të hequr gradualisht importet e saj të qymyrit nga Rusia ndërsa kërkon furnizues të tjerë mes sanksioneve në rritje ndaj Moskës.

Japonia varet nga importet për pothuajse të gjitha burimet e saj energjetike, pavarësisht se është konsumatori i pestë më i madh i energjisë në mbarë botën. Rreth 3 për qind e importeve totale të naftës së Japonisë vijnë nga Rusia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pritet…