Japonia përballet me tkurrjen më të madhe të ekonomisë në histori

15 shkurt 2021 | 13:55

Ekonomia e Japonisë përjetoi tkurrjen e dytë më të madhe në historinë e saj në vitin 2020, duke u tkurrur me 4,8 për qind në krahasim me një vit më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të azhurnuara paraprake ekonomike nga Zyra e Kabinetit (Kantei) gjatë vitit të kaluar, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është tkurrur për herë të parë që nga viti 2009.

Pas krizës financiare të vitit 2008, PBB-ja u tkurr me 5,7 për qind në vitin 2009. Kjo normë ishte regjistruar si tkurrja më e madhe që nga viti 1955.

Sipas të dhënave paraprake të Kanteit, vëllimi i PBB-së në vitin 2020 ra nga 555 trilionë jenë në vitin 2019 në 529,19 trilionë jenë (5 trilionë dollarë).

Konsumi privat është zvogëluar

Vitin e kaluar, eksportet e vendit kanë rënë me 12,3 për qind dhe importet me 6,8 për qind.

Shpenzimet private të kapitalit u ulën me 5,8 për qind dhe investimet e shtëpive me 7,1 për qind. Ndërkaq, investimet publike janë rritur me 3,5 për qind dhe shpenzimet e qeverisë qendrore me 2,7 për qind.

Konsumi privat, i cili përbën më shumë se gjysmën e PBB-së së Japonisë, ka rënë me 5,9 për qind.

Konsumi privat u zvogëlua si rezultat i thirrjeve për “qëndrim në shtëpi” për të luftuar koronavirusin e ri (Covid-19).

“Rezistencë e mundshme”.

Anëtari i Kabinetit Përgjegjës për Masat Kundër COVID-19 dhe Ringjalljen Ekonomike, Yasutoshi Nishimura, në një deklaratë tha se PBB-ja e vitit 2020 mbetet serioze dhe tremujori i fundit shfaqi “rezistencë të mundshme”.

Sipas vlerësimeve të bazuara nga ekspertët, agjencia Kyodo njofton se pritet rritje negative në tremujorin e parë të vitit 2021 si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme kundër COVID-19 të aplikuar në 10 prefektura në gjithë vendin, përfshirë kryeqytetin Tokio.

Ekonomisti Shinichiro Kobayashi nga firma e Kërkimit dhe Konsulencës Mitsubishi UFJ deklaroi se megjithëse ekonomia e vitit 2020 u tkurr në mënyrë të konsiderueshme në tremujorin e dytë, ajo tregoi më shumë rikuperim sesa pritej në tremujorin e tretë dhe të fundit. “Meqenëse furnizimi i fondeve nuk mund të sigurohej, u desh kohë që ekonomia japoneze të kapërcejë ngecjen në krizën financiare globale. Megjithatë, këtë herë ekonomia u ndal për shkak të pandemisë dhe ishte relativisht e lehtë për ta ringjallur atë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Kantei më 9 mars do t’i publikojë të dhënat e rishikuara vjetore dhe tremujore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përmes platformës virtuale menaxhmenti i lartë i Administratës Tatimore të…