Jashari dhe Lushtaku matin përkrahjen më 17 tetor

21 korrik 2021 | 14:40

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit pritet të sjellin një garë interesante në mes të shumë kandidatëve që do të garojnë për kryetar të komunave të Kosovës. Një garë e tillë, sipas të gjitha gjasave, do të jetë edhe në Skenderaj, në të cilën do të konkurrojnë për kryetar të kësaj komune ish-kryetari Sami Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kryetari aktual Bekim Jashari, kandidat i pavarur.

Bastionin e PDK-së në Skenderaj, Lushtaku e ka udhëhequr për disa mandate, duke fituar me rezultat të thellë, kurse kryetari aktual Bekim Jashari, i cili mandatin e kishte fituar me mbështetjen e PDK-së, beson se do të arrijë ta mposhtë Lushtakun.

Lushtaku dhe Jashari, të cilët vijnë nga i njëjti fshat, Prekaz, kanë paralajmëruar se shumë shpejt do t’i zyrtarizojnë kandidaturat e tyre. Në profilin e tij në “Facebook”, Sami Lushtaku ka shkruar se kandidaturën do ta paraqesë sot (e hënë) me një ceremoni zyrtare. “Të dashur miq, ju ftoj që të hënën, më 19 korrik 2021, në orën 19:00, në restorantin ‘Atlantic’ në Skenderaj, ta zyrtarizojmë kandidaturën time për kryetar të komunës së Skenderajt për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, ka shkruar Lushtaku.

Kurse kryetari aktual i komunës, Bekim Jashari, ka bërë me dije se kësaj gare do t’i hyjë pas kërkesave të shumta të qytetarëve. “Katër vjet më parë mora një vendim jo të lehtë për mua dhe familjen time. Inkuadrimi im në jetën politike në rrethanat në të cilat po kalonte shteti ynë nuk ishte i lehtë, por duke qenë pjesë e jetës në komunën tonë, duke parë problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat po ballafaqohej komuna jonë, duke qenë i vendosur për t’i shërbyer vendit tim dhe qytetarëve pa asnjë dallim,  me kërkesë të qytetarëve pranova të kandidoj për kryetar të komunës sonë në zgjedhjet lokale të vitit 2017”, ka shkruar Jashari në profilin e tij në “Facebook”.

Në reagimin e tij, ai ka treguar për punën që ka bërë gjatë këtij mandati. “Përkrahja juaj plebishitare për mua dhe qeverisjen time ishte obligimi imi që të punoj me përkushtim maksimal për një jetë më të mirë për secilin qytetar të komunës sonë, për çka i jam falënderues përjetë secilit prej jush. Qeverisjen time lokale në udhëheqje të qytetarëve të Skenderajt e fillova me betimin që bëra pranë varreve të familjarëve të mi, gjyshit Shaban Jashari, komandantit legjendar të UÇK-së,  Adem Jasharit, babushit Hamëzes dhe dëshmorëve të kombit në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë”, ka shkruar ai.

Më tej, Jashari ka shkruar se gjatë qeverisjes së tij u është përmbajtur premtimeve parazgjedhore.  “Siç e dini, gjatë fushatës parazgjedhore të vetmin premtim që kam dhënë ka qenë qeverisja transparente dhe me duar të pastra falë bashkëpunimit që kemi ndërtuar dhe me përkrahjen edhe të nivelit qendror dhe donatorëve kemi arritur që, krahas instalimit të një qeverisje që në qendër ka qytetarin, respektimin e shprehjes së lirë e mendimit ndryshe, kemi arritur të realizojmë shumë projekte infrastrukturore në shumë fusha dhe reforma në administratë që kanë ndikuar në avancimin e shërbimeve për qytetarët”, ka shkruar kryetari Jashari, duke shtuar se çdoherë ka qenë afër qytetarëve. “Gjatë mandatit tim qeverisës, së bashku me donatorë dhe qeverinë qendrore, kemi arritur të bëjmë me ujë të pijshëm 12 fshatra, kurse në proces e sipër i kemi edhe 12 të tjera. Për të pasur furnizim të rregullt me ujë të pijshëm këtë vit fillon projekti milionësh i ndërtimit të baseneve në Brus dhe ndërtimi i gypit kryesor me kapacitet të madh, Brus –  Skenderaj.  Për këtë projekt si komunë kemi kryer procesin e shpronësimit të pronave”, ka treguar ai.

Gjithashtu, Bekim Jashari ka përmendur edhe disa nga punët që i ka bërë gjatë qeverisjes së tij. “Krahas kësaj, jemi në rrugë të drejtë për fillimin e realizimit të projektit tonë strategjik, ndërtimin e pendës së Kuqicës, që do të sigurojë ujë të pijshëm, ujitje për bujqësi dhe mundësi të zhvillimit të turizmit në vendin tonë.  Kemi bërë investime infrastrukturore në institucionet tona shëndetësore si dhe furnizim me pajisje e medikamente të nevojshme mjekësore. Me qëllim të përkrahjes së grave lehona që nga fillimi i këtij viti kemi filluar ndarjen e subvencioneve me nga 100 euro për secilën lindje”, ka shkruar Jashari.

Komuna e Skenderajt njihet si bastioni më i fortë i PDK-së, ku kjo parti zgjedhjet lokale dhe nacionale i ka fituar me rezultat të thellë.  Mirëpo, para katër vjetëve, kur Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, kishte vendosur të kandidojë për kryetar të komunës, PDK-ja ishte tërhequr nga gara, duke mos vendosur kandidat të saj për kryetar. Madje PDK-ja kishte dalë hapur në mbështetje të Bekim Jasharit. Pas marrjes së mandatit, Jashari kishte filluar t’i kritikonte asamblistët e PDK-së dhe Lushtakun për obstruksione ndaj tij.

Më pas, Jashari e Lushtaku ishin përfshirë në polemika të forta, duke e akuzuar njëri-tjetrin. Edhe për zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti ishte menduar se të dy kandidatët do ta nxjerrin një kandidat të tretë për kryetar të Skenderajt. Madje kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili njihet si njeri i afërt me Bekim Jasharin, ishte shprehur i bindur se Lushtaku dhe Jashari do të gjejnë gjuhë të përbashkët për këtë çështje. Së fundi, mediat lokale kanë raportuar se Lushtaku dhe Jashari janë takuar disa herë për ta gjetur një kandidat të përbashkët. Mirëpo, si duket këto takime nuk kanë pasur sukses, dhe Lushtaku e Jashari kanë vendosur t’i futen garës për kryetar të komunës.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, ka thënë se është tejet…