
Java e Bibliotekës në Kosovë: tradita e nisur në prill, e zhvendosur në tetor
-Kur bibliotekat tona humbin lidhjen me rrënjët amerikane
Shukrije Rama
Në prill të vitit 2003, Biblioteka Kombëtare e Kosovës për herë të parë organizoi një ngjarje që synonte të bëhej traditë: Java e Bibliotekës në Kosovë. Organizuar në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ajo u mbajt nga data 07 deri më 13 prill dhe u shoqërua me një zotim të qartë nga të dyja palët, nga pala amerikane dhe ajo kosovare: kjo ngjarje të festohej çdo vit në Kosovë në të njëjtën kohë me Javën Kombëtare të Bibliotekës të Shoqatës Amerikane të Bibliotekave në Shtetet e Bashkuara.
Ky zotim nuk ishte vetëm një çështje kalendari. Zotimi kishte simbolikën e lidhjes së bibliotekave të Kosovës me një traditë të konsoliduar amerikane, duke treguar se librat dhe bibliotekat nuk janë vetëm hapësira lokale, por pjesë e një bote më të gjerë të dijes dhe kulturës.
Por sot, dy dekada më vonë, ky zotim është harruar. Ndërsa në Amerikë Java e Bibliotekës u mbajt më 6 – 12 prill 2025, në Kosovë ajo është paralajmëruar për datat 6 -12 tetor, me temën “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit”. Edicioni i 22-të do të sjellë sesione shkencore, diskutime, ekspozita dhe mysafirë nga Shqipëria, Bullgaria, Turqia dhe Maqedonia e Veriut, pa dyshim një program i pasur dhe i rëndësishëm, por ky edicion mbetet i shkëputur nga rrënjët e tij të para dhe nga ideja e lidhjes me kalendarin amerikan.
Zhvendosja nga prilli në tetor nuk është çështje e parëndësishme. Ajo paraqet humbjen e një pjese të memories institucionale dhe të simbolikës së bashkëpunimit me ShBA-në. Premtimi i dhënë publikisht është pjesë e këtij besimi. Dhe kur ai nuk mbahet, krijohet një boshllëk që nuk mbushet me programe, sado të pasura qofshin ato.
Java e Bibliotekës në Kosovë mbetet një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe librin. Por bashkë me kremtimin e saj, duhet të kujtojmë edhe detyrimin moral të institucioneve: fjala e dhënë është pjesë e trashëgimisë po aq sa vetë librat. Dhe ky është një mësim DUHET TË MBAHET NË MEND!