‘Java e Gruas’, Kurti:  Nuk ka demokraci pa gjithëpërfshirje

15 mars 2022 | 17:02

Sa më shumë gra në jetën politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, aq më shumë cilësi ka demokracia e atij vendi. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e fillimit të “Javës së Gruas”.

Kurti ka thënë se në njërën anë nuk ka demokraci pa gjithëpërfshirje, ndërsa në anën tjetër sipas tij, kur gratë janë të përjashtuara largohemi nga demokracia edhe u afrohemi autokracive.

Ai ka thënë se po e shohim sot se si autokracitë, përveç se bëjnë shtypje brenda, gjithashtu zhvillojnë edhe hegjemoni jashtë, që shpie edhe deri të luftërat e përgjakshme.

Më tutje, Kurti ka shprehur admirimin dhe solidaritetin me popullin ukrainas, i cili po lufton për çlirim kundër invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje, e në veçanti për gratë ukrainase, sepse, siç ka theksuar ai,“ne e dimë shumë mirë që gratë edhe në luftë, edhe në paqe, e kanë barrën e dyfishtë të vështirësive të jetës e të jetesës”.

“Ne e dimë që burrat e moshës së mesme janë më shumicë në politikë, mirëpo gratë dhe rinia përbëjnë shumicën e popullsisë”,  ka thënë kryeministri Kurti.

“Java e Gruas” organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, me mbështetje të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dita e fundit e afatit kur delegatët duhet të dorëzojnë…