Java e Kulturës së Kosovës në Portugali

16 mars 2023 | 15:08

Për të thelluar njohuritë e artdashësve të huaj për identitetin kulturor të Kosovës, një sërë formash arti vendase do të shfaqen në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Portugali, nga 19 deri më 24 mars.

Kjo javë është krijuar për të festuar identitetin e pasur kulturor dhe format e ndryshme të artit të Kosovës.

Gjatë pesë ditëve, një sërë ngjarjesh kulturore do të zhvillohen në Lisbonë, Braga dhe Porto, duke shfaqur një sërë formash arti, si: muzika, teatri, gastronomia dhe filmi. Qëllimi i këtyre ngjarjeve është shfaqja e talentit artistik dhe identitetit kulturor të Kosovës, duke krijuar lidhje mes artistëve nga Kosova, diaspora dhe vendet pritëse.

Java e Kulturës së Kosovës jashtë vendit është një nismë e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Ajo është krijuar për të promovuar identitetin kulturor dhe potencialin artistik të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se kjo ngjarje premton të jetë një përvojë unike, e paharrueshme që nxjerr në pah talentin artistik dhe identitetin kulturor të Kosovës dhe popullit të saj.

“Arti mund t’i bashkojë njerëzit, të nxitë mirëkuptimin e ndjeshmërinë dhe të promovojë paqen dhe bashkëpunimin midis vendeve. Nëpërmjet shkëmbimeve njerëz për njerëz si kjo ngjarje, ne formësojmë dhe promovojmë imazhin e Kosovës jashtë vendit dhe forcojmë lidhjet tona kulturore me partnerët dhe aleatët tanë”, ka njoftuar MPJD.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të fushatës njëmujore sensibilizuese kundër dhunës në shkolla…