
“Jeni bërë instrument i mafies energjetike” – Bajrami i fton në debat televiziv Kurtin dhe Rizvanollin
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ftuar publikisht në një ballafaqim televiziv ish-kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Bajrami, nëpërmjet një reagimi në Facebook ndaj postimit të Rizvanollit, tha se energjia elektrike që aktualisht furnizon vendin po vjen kryesisht përmes Serbisë dhe se reagimi i Rizvanollit nuk ka demantuar “asnjë fjalë” nga deklarata e saj.
“Për militantin që do t’i shtrejtohet prapë energjia elektrike, Artanja nuk e ka demantuar asnjë fjalë nga deklarata ime. Unë kam thënë se energjia po vjen përmes Serbisë. Ajo ka thënë se ka rrjedhë fizike të energjisë nga Serbia. Është saktësisht e njëjta gjë.” – tha Bajrami.
Bajrami e sfidoi publikisht Rizvanollin për debat televiziv, bashkë me deputetin Albin Kurti.
“Prandaj, ftoj publikisht Albin Kurtin, së bashku me Artanën, përfaqësues të KOSTT-it dhe të ZRrE-së, në një debat televiziv. Zgjidhni televizionin, kohën dhe studio.
Ejani të flasim hapur:
– Për ato që ne i dimë, e për të cilat ju nuk po guxoni të flisni.
– Për mënyrën se si jeni shëndrruar në instrument të mafisë energjetike.
– Për faktin se sot Kosova ka gjeneruar energji vetëm me A3, që sipas KEK-ut mbulon rreth 10% të ngarkesës, ndërsa gjithë pjesa tjetër është import.
– Për faktin se si shumicën e ankandëve për transport të energjisë po i fitojnë NOA, kjo kompani gjigande që ka lulëzu në qeverisjen e juaj dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqit, për të cilat Artanja, Kurti dhe LVV nuk nxjerrin asnjë fjalë nga goja. NOA po prin edhe në import.
– Flasim për tenderin me negociata të KEK-ut në shumë prej137 milionësh pa studim të fizibilitetit (Rehabilitimi dhe Modernizimi i A3, i hapur që nga 22 janari i këtij viti).
– Për avaritë në baza mujore në KEK,
– e për të gjitha këto e të tjera që qojnë ujë vetëm në mulli të tregtarëve të energjisë/kumbarëve të qeverisë.
Ejani, unë ju pres!
Heshtja juaj po bërtet.
Keni rënë kokë e këmbë – s’ka propagandë që ju mbron më.”