Jep dorëheqje drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës

07 nëntor 2023 | 14:05

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë “Dr. Sali Haxhibeqiri”, Luljeta Buçinca-Zhubi, e ka dorëzuar sot në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), dorëheqjen nga kjo pozitë.

Lajmin për dorëheqjen e Buçinca-Zhubit, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, menaxhmenti i ShSKUK-së.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm-ShSKUK, ju konfirmon se drejtoresha ekzekutive e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, i ka paraqitur dorëheqjen drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së

Buçinca-Zhubi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, tha se përkushtimi në profesionin e saj si infektologe e ka shtyrë të jepë dorëheqje.

Ndryshe, ditë më parë “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka gjetur konflikt interesi në rastin e drejtoreshës Buçinca-Zhubi, e cila ka punësuar djalin e dajës si depoist në Spital.

Në anën tjetër, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar tha se për këtë rast do të merren veprimet e nevojshme sipas ligjit.

“Kemi pranuar nga Agjencia Antikorrupsion një Vendim, ku është konstatuar konflikt interesi nga drejtoresha Zhubi. Konform Vendimit, drejtori i përgjithshëm ka kërkuar nga Sektori i personelit ShSKUK të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore”, thuhej në përgjigjen e ShSKUK-së dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot…