
Jepte para me fajde dhe kërcënonte biznesmenët, arrestohet efektivi në Elbasan
Një polic është vënë në pranga në Elbasan në akuzë për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Nënkomisari u jepte hua (fajde) personave të ndryshëm dhe më pas nëpërmjet kanosjes ose dhunës i shtrëngonte këta të fundit për kthimin e vlerave të konsiderueshme të parave, njofton AMP.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se para një viti, efektivi i kishte dhënë shtatë mijë euro borxh një shtetasi që jepte makina me qira dhe pas kësaj i thoshte se “paratë ishin me fajde”.
Shtetasi që jepte makina me qira bashkëpunoi me AMP-në dhe tregoi se si kërcënohej, ndërsa pretendon se çdo muaj jepte 1 mijë apo 1500 euro.
Çështja po hetohet ende, teksa Edison Pema mohon të ketë kërcënuar biznesmenin, që merrej me tregtinë e mjeteve me qira.