Jeta Krasniqi: Kosova duhet të arrijë konsensus për dialogun me Serbinë

08 nëntor 2018 | 14:13

Menaxherja e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për dialogun Kosovë – Serbi, Jeta Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është problematik fakti që Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur pas gjithë këtyre diskutimeve të aprovojë një rezolutë me anë të së cilës do ta prezantojë qëndrimin e Kosovës për këto bisedime.

“Pra, presidenti Thaçi të enjten prapë shkon në këto bisedime, ndërsa Kosova nuk ka një platformë shtetërore për dialogun me Serbinë. Nuk ka një qëndrim unik mbi këtë proces dhe Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka formuluar qëndrimin dhe nuk i ka dhënë legjitimitet këtij procesi”, ka theksuar ajo.

Krasniqi ka thënë se është shumë e rëndësishme që spektri politik të ulet dhe të bisedojë seriozisht për ndërtimin e platformës shtetërore për bisedimet.

“Deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe kjo është shqetësuese. Kërkojmë nga Kuvendi dhe nga partitë e përfaqësuara në Kuvend që të ulen së bashku dhe këtë platformë ta legjitimojnë me anë të një rezolute. Diskutimet rreth dialogut Kosovë – Serbi nuk duhet të jenë për konsum ditor apo reflektim i politikave ditore, por duhet ta reflektojnë qëndrimin afatgjatë të shtetit të Kosovës mbi këtë proces”, është shprehur ajo, duke shtuar se mungesa e një konsensusi politik dhe një koordinimi në mes të institucioneve për dialogun mund t’i kushtojë Kosovës në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm.

“Prandaj patjetër duhet një konsensus dhe një bashkërendim të institucioneve për të garantuar se Kosova në këtë proces është duke bërë çdo gjë për ta mbrojtur interesin e shtetit dhe të qytetarëve. Kërkojmë që të ketë sa më shumë transparencë dhe insistojmë që partitë politike të ulen, të diskutojnë dhe pastaj të ndërtojnë një qëndrim unik shtetëror, një platformë shtetërore të Kosovës, ku përcaktohen temat, vijat e kuqe, ekipi negociues, afatet kohore, garancitë dhe pritshmëritë nga procesi i dialogut”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas saj, dialogu është e vetmja mënyrë që Kosova t’i zgjidhë çështjet me Serbinë.

“Kosova patjetër që duhet t’i thotë po dialogut, por institucionet e Kosovës dhe partitë politike duhet të jenë shumë më serioze në mënyrë që ta ndërtojnë qëndrimin unik të shtetit të Kosovës dhe ta artikulojnë atë pasi ky proces është i ndërlidhur edhe me perspektivën evropiane të vendit. Kosova duhet të dijë se çfarë pret nga ky proces dhe duhet të punojë për përmbushjen e pritshmërive. Kosova duhet ta kërkojë njohjen nga ky proces, anëtarësimin në OKB, njohjen nga pesë vendet jonjohëse të BE-së dhe perspektivën e qartë evropiane. Kosova duhet të dalë nga ky izolim që është tani. Po ashtu, BE-ja duhet ta ridefinojë pozicionin e vet ndaj Kosovës, pra të mos ketë pozicion neutral, mirëpo ta njohë shtetin e Kosovës dhe t’i ofrojë perspektivën evropiane”, ka theksuar Krasniqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha, ka…