Jo “eksodi”, por “spastrimi etnik” është akt i gjenocidit

31 maj 2019 | 13:45

Bardhyl Mahmuti

-Përdorimi i gabueshëm i termit “eksod”

Në mars të vitit 2019 OJQ “Eksodi ‘99”përuroilibrin“Eksodi 99” – Dëbimi me dhunë i popullatës shqiptare nga Kosova”,që është përmbledhje punimesh nga konferenca shkencore e organizuar nga kjo organizatë joqeveritare. Ndërsa, më 16 prill2019, në datën kur në Kukës shënohet “Dita e Eksodit” të shqiptarëve të Kosovës, Bashkia e këtij qyteti organizoi një numër aktivitetesh për të përkujtuar këtë ngjarje.

Në njoftimin për këtë ngjarje thuhet: “Sot shënohen 20 vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni”. (“Eksodi 99”/ Sot dy dekada nga dëbimi i shqiptarëve të Kosovës, https://dosja.al/eksodi-99-sot-dy-dekada-nga-debimi-i-shqiptareve-te-kosoves/).

Më duket me rëndësi të citoj këtë pjesë të njoftimit lidhur me shënimin e kësaj ngjarjeje në Kukës, për arsye se sintetizon në mënyrë më të mirë të mundshme terminologjinë e gabueshme që është ngulitur në diskursin e një numri të politikanëve dhe të gazetarëve shqiptarë.

Në shkrimin e titulluar “Nocioni ‘paramilitar’ si instrument i mohimit të gjenocidit”, që pasqyroj në përmbledhje të temës që trajtoj hollësisht në librin tim “Mashtrimi i madh”, vura theksin në faktin se fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te “grupet paramilitare” është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet. Si rezultat i propagandës së vazhdueshme të Beogradit për t’ua veshur krimin strukturave që gjoja nuk kanë qenë në kontrollin e shtetit serb, këtë mendim e kanë përqafuar si të vërtetë një numër i konsiderueshëm politikanësh në shtetet perëndimore,të orientimit të djathtë e të majtë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë… Fatkeqësisht edhe në diskursin tonë politik dhe mediatiknocioni “grupe paramilitare” ka zënë një vend të rëndësishëm, pa menduar për pasojat e mëdha që sjell përdorimi i këtij termi në shfajësimin e shtetit serb për krimin e gjenocidit.

Përdorimi i gabueshëm i termit “eksod” për të emërtuar politikën e spastrimit etnik në Kosovë është aq i pranishëm në diskurset e politikanëve dhe në shkrimet e gazetarëve në Kosovë sa nuk ka nevojë të citohenedhe shembujt të tjerëpër të dëshmuar për prezencën  e tij. Mjafton të përmend edhe faktin se ky term u imponua në versionin përfundimtar të rezolutës së Kuvendit të Kosovës për gjenocidin serb në Kosovë, të datës 18 maj 2019.

Që të mund të kuptohet drejtë ky term do të përmend shkurtimisht atë që më duket e domosdoshme. Përhapja e madhe e këtij termi lidhet me përkthimin në greqisht të Biblës së judaizmit (Torah). Librat e Torasnë gjuhën hebraike janë të titulluar me njërën nga fjalët e para me të cilat fillon çdonjëri nga pesë librat që e përbëjnë. Libri i dytë i Toras mban titullin

“Shamot”, që në gjuhën shqipe do të thotë emrat, sepse ky libër fillon me fjalët: “Këta janë emrat e bijve të Izraelit, që, bashkë me Jakobin, hynë në Egjipt…”.

Në këtë libër kemi rrëfimin biblik të skllavërisë katërqind vjeçare të pasardhësve të Abrahamit,të cilët kishin ardhur si të huaj në tokën e Egjiptit, para se “populli i tij të merrte në posedim pronën e premtuar nga Zoti”.Të jemi të qartë: flas për rrëfim biblik e jo për realitetin historik të ngjarjeve që përshkruhen në këtë libër.

Në bazë të këtij rrëfimi, pas përfundimit të periudhës së skllavërisë së paralajmëruar nga Zoti (madje shumë më shumë se katërqind vjet), Zoti dërgoi Mojsiun që të nxjerrte popullin hebre nga sundimi i Faraonit, emri i të cilit nuk përmendet asnjëherë në Bibël.

Faraonire fuzonte kërkesën e Mojsiut, sepse Zoti “ia ngurtësonte zemrën që të mos pranonte lirimin e bijve të Izraelit”. Vajtje ardhjet e Mojsiut për ta bindur Faraonin u shoqëruan me dhjetë mynxyrat që do t’ia dërgojë Zoti Egjiptit (shndërrimin e lumit Nil në gjak, ngordhjen e peshqve, qelbjen e lumit, vërshimin e vendit nga bretkosat, shndërrimin e pluhurit në mushkonja, ngordhjen e të gjitha kafshëve dhe, ajo që është më e rënda, vrasjen e fëmijëve të paralindur në çdo familje egjiptiane…) derisa Faraoni pranoi t’i linte hebrenjtë të dilnin nga Egjipti (skllavëria).

Si rezyme të këtij rrëfimi biblik, që mund të jetë me interes për rastin tonë, mund të përmendim se Faraoni bëri përpjekjet maksimale që ta mbante popullin hebre dhe të mos e lëshonte të dilte nga Egjipti.

Pikërisht këtë aspekt të rrëfimit biblik e shfrytëzojnë përkthyesit në gjuhën greke dhe e titullojnë librin “Eksod”, që ka kuptimin “dalje”(termi“eksod” përbëhet nga dy fjalë: nga fjala “ex”, që në gjuhën greke do të thotë “jashtë”, dhe nga fjala “hodos”që do të thotë “rrugë” dhe ka kuptimin e “tëbërit rrugë jashtë një vendi…).

Pa marrë parasysh nëse është i vërtetë në aspektin historik, rrëfimit biblik shënon realizimin e premtimit hyjnor të daljes së popullit hebre nga skllavëria që kishin përjetuar në një vend të huaj dhe rrugëtimi drejt “tokës së premtuar” për ta.

Në rastin e Kosovës kemi të kundërtën. Pas vrasjeve dhe dhunimeve të dhjetëra mijëra shqiptarësh, ardhacakët sllavë që okupuan vendin tonë dëbojnë pjesën tjetër të banorëve autoktonë të Kosovës.Prandaj përdorimi i termit “eksod” për të përkufizuar atë që përjetoi populli shqiptar gjatë periudhës 1998-1999 është i gabueshëm.

Duke pasur kuptimin e “çlirimit nga skllavëria dhe realizimin e një projekti hyjnor”, termi “eksod” nuk mund të përfshihej si kategori juridike e të drejtës penale ndërkombëtare. Për këtë arsye ky term nuk figuron në asnjë akt juridik që përkufizon krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Termi “dëbim i popullsisë” dhe gjenocidi

Gjatë luftërave që e shoqërua shpërbërjen e Federatës së Jugosllavisë, forcat e armatosura serbe aplikuan edhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë nga territoret në Bosnje dhe Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë.

Ndodh shpesh që në diskurset publike të përdoret shprehja “ikja e popullsisë nga vendet ku zhvilloheshin luftimet”, sidomos nga personat që kishin përjetuar ofensivat ushtarake dhe policore serbe.

Fjala “ikje”nënkupton se personat në fjalë “kanë vendosur vet” që të largohen nga një vend i caktuar për shkak të frikës që kanë pasur. Përkundër rrethanave objektive që krijon konteksti i luftës, frika mbetet çështje subjektive dhe nuk reflekton projektin politik për të realizuar spastrimin etnik të një territori të caktuar. Ajo që duhet të theksohet lidhur me këtë çështje ka të bëjë me faktin se gjatë tërë kohës së luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në disa rezoluta dhe raporte të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara precizohet se “largimi i dhunshëm i popullsisë nuk është pasojë e luftës, por QËLLIM për të pushtuar më shumë territor” (Kombet e Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme, Rezoluta 47/121, miratuar më 18.12.1992).

Në rastet kur dëbimi i popullsisë nuk ka për qëllim të shkatërrojë ndonjërin nga katër grupet shoqërore që veçohen në përkufizimin e krimit të gjenocidit, atëherë me statutine Gjykatës Penale Ndërkombëtare ky krim hyn në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit (Neni 7, paragrafi (d) i Gjykatës Penale Ndërkombëtare).

dëbimi i dhunshëm i popullsisë të konsiderohet si akt i gjenocidit, atëherë duhet të dëshmohet se politika e dëbimit të popullsisë dhe pushtimit të territorit është strategji politikeqë ka përqëllim të shkatërrojë hapësirën e domosdoshme jetësore të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar dhe përmes këtij akti të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht grupin si të tillë.

Në përputhje me të gjitha të dhënat që posedonin lidhur me agresionin serb, autoritetet e Kombeve të Bashkuara e cilësuan si “formë të gjenocidit, politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik’” (Rezoluta e lartpërmendur e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara). Në të njëjtin konstatim erdhi edhe Konferenca Botërore e të Drejtave të Njeriut që u organizua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Vjenë nga 14-25 qershor 1993, e cila vlerësoi se “praktika e spastrimit etnike agresionit serb përbën gjenocid dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit”.

Pra, jo “eksodi”, por vetëm dëbimi i planifikuar i popullsisë që ka për QËLLIM spastrimin etnik është formë e gjenocidit.

Zbatimi i spastrimit etnik në Kosovë dhe “Eksodi ‘99”

Gabimi i dytë që lidhet me përdorimin e termit “eksod” është përcaktimi i datës 19 prill si “Dita e Eksodit” dhe i vitit 1999 si “Vit i Eksodit”.

 Përgjegjësit e krimit të gjenocidit serb në Kosovë janë të vetëdijshëm se nëse nuk arrihet të dëshmohet që dëbimi i shqiptarëve dhe politika e spastrimit etnik ishte një projekt shtetëror, asnjë arsyetim ideologjik apo politik nuk është i mjaftueshëm për ta kualifikuar këtë krim si krim të gjenocidit. Për këtë arsye, strategjia për të mohuar ekzistencën e një plani të tillë u shndërruan në sistem të fshehjes së gjurmëve të shkatërrimit të së vërtetës dhe futjes së dyshimit për vërte­tësinë e krimit.

Në rend të parë të propagandës serbe në funksion të mohimit të spastrimit etnik të Kosovës ishte dhe mbetet edhe sot e kësaj dite mohimi i ekzistencës së “Planit Patkoi” dhe prezantimi i asaj që ka ndodhur në Kosovës si “largim i popullsisë për shkak të frikës nga bombardimet e NATO-s”.

Të gjithë atyre që u intereson të njihen më gjërësisht për politikën e spastrimit etnik të Kosovës dhe “Planin Patkoi” mund të lexojnë kapitullin e pestë të librit “Mashtrimi i Madh”, i cili gjendet falas në internet. Në këtë shkrim do të përmend vetëm disa të dhëna, që më duken të domosdoshme për temën që po trajtoj.

Pa marrë parasysh se shifrat që posedonin organizatat për mbrojtjen e të drejtave të  njeriut evidentonin një numër shumë më të lartë të atyre që ishin detyruar t’i linin shtëpitë e tyre ose të cilëve u ishin rrënuar shtëpitë, do të kufizohem vetëm në të dhënat zyrtare të institucioneve ndërkombëtare.

Në rezolutën e 23 shtatorit të vitit 1998 të Këshillit të Sigurimit thuhet: “Thellësisht të shqetësuar për shkak të luftimeve të ashpra që u zhvilluan në Kosovë dhe në veçanti të brengosur me përdorimin e tepërt dhe pa dallim të forcës nga ana e njësive të sigurisë serbe dhe të Armatës Jugosllave, që shkaktoi viktima të shumta civile dhe sipas vlerësimeve të Sekretarit të Përgjithshëm mbi 230000 persona janë zhvendosur dhe kanë qenë të shtrënguar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre” (Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit, S/RES/1199 (1998), 23 shtator 1998).

Më 23 tetor 1998, Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë numëroi 285500 njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa më 18 mars 1999 ky numër ishte 333 300 refugjatë.

Nëse shifrës minimale zyrtare prej 333.300 personave të dëbuar nga shtëpitë e tyre u shtojmë edhe shifrën minimale prej 100.000 personash që pasi ishin dëbuar nga forcat serbe kishin shkuar në Evropën Perëndimore, shifër që përmendet nga miku i Serbisë dhe kundërshtari i madh i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, Jürgen Elsässer-i, atëherë del qartë se gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit serb në Kosovë, së paku 433.300 personave ishin dëbuar nga vatrat e tyre.

Sado minimale të jetë, shifra prej 433.300 personave të dëbuar gjatë zbatimit të politikës së spastrimit etnik të Kosovës para ndërhyrjes ushtarake të NATO-s duhet të shihet në kontekstin real: kjo shifër paraqiste çerekun e popullsisë së përgjithshme të Kosovës!

Sikur një gjë e tillë të ndodhte me popullsitë civile të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të SHBA-vë, ky proporcion do të manifestohej me 15 milionë britanikë, me 17 milionë francezë, me 20 milionë gjermanë dhe me 80 milionë amerikanë të zhvendosur nga shtëpitë e veta!

Të gjitha faktet dëshmojnë se “zbrazja e Kosovës nga shqiptarët” nuk ishte rezultat i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, por pasojë e politikës së gjenocidit serb, ku spastrimi etnik përbën vetëm njërën nga shtyllat e gjenocidit. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s u bë me të vetmin qëllim që t’i jepej fund gjenocidit serb në Kosovë.

Është pikërisht shteti serb që në funskion të fshehjes së gjurmëve të gjenocidit që ka kryer në Kosovë vendos procesin e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova në kontekstin kohor pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Prandaj, as data 19 prill dhe as vitit 1999 nuk prezantojnë drejtë politikën serbe të spastrimit etnik të Kosovë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja e komunikimit në mes të sektorit publik dhe atij…