Joe Hart kritikon topin e Botërorit: Po ua vështirëson punën portierëve
Ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, ka shprehur shqetësime lidhur me topin zyrtar që po përdoret në Kupën e Botës 2026, duke vlerësuar se ai po u shkakton vështirësi të mëdha portierëve.
Hart i ka bërë këto komente gjatë analizës së ndeshjes Francë-Irak për “BBC Sport”, e cila është ndërprerë përkohësisht për shkak të kushteve atmosferike dhe rrezikut nga rrufetë.
Duke komentuar golin e Kylian Mbappes në fitoren e Francës, ish-portieri i Manchester Cityt, ka theksuar se sjellja e topit në ajër po i vë në vështirësi portierët, veçanërisht në goditjet nga distanca.
“Portieri e sheh topin, pozicionohet dhe hidhet për ta pritur, por në këtë turne duket sikur llogaritjet e tyre nuk përputhen me lëvizjen reale të topit. Sapo topi nuk ka rrotullim, ai vjen shumë më shpejt sesa pritet dhe portierët nuk po arrijnë ta kontrollojnë”, ka deklaruar Hart.
Sipas tij, kjo nuk është një problematikë që ka prekur vetëm portierin e Irakut, por edhe disa prej gardianëve më të njohur të futbollit botëror.
Hart ka vlerësuar se ndryshimet në aerodinamikën e topit mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në reagimet e portierëve dhe në zhvillimin e ndeshjeve, duke ngritur pikëpyetje mbi karakteristikat e topit të përdorur në këtë Botëror.



