Johnsoni do të bëjë thirrje për veprime mbi ndryshimet klimatike gjatë vizitës në ShBA

19 shtator 13:02

Kryeministri i Anglisë, Boris Johnson, do t’i nxisë udhëheqësit botërorë të ndërmarrin veprime konkrete mbi ndryshimet klimatike gjatë takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë.

Kryeministri gjithashtu do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë që kur Joe Biden është bërë president i ShBA-së.

Ai pritet t’i bëjë presion Bidenit për krizën e afërt humanitare në Afganistan dhe potencialin e rihapjes së Mbretërisë së Bashkuar për udhëtimet në ShBA.

Vizita vjen përpara samitit të klimës në Glasgow, në nëntor, raporton “BBC”.

Me rreth 100 udhëheqës botërorë që priten në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë, Johnsoni do të kërkojë të nxisë veprimet gjatë një sërë takimesh të nivelit të lartë.

Johnsoni ka thënë se ai do të kërkojë veprim mbi qymyrin, klimën, makinat dhe pemët në veçanti.

“Udhëheqësve botërorë u mbetet një dritare e vogël kohe për të përmbushur angazhimet e tyre klimatike përpara COP26”,

“Mesazhi im për ata që takoj këtë javë do të jetë i qartë: brezat e ardhshëm do të na gjykojnë bazuar në atë që kemi për të arritur në muajt e ardhshëm”, ka thënë ai.

Samiti i COP26 shihet gjerësisht si vendimtar nëse ndryshimi i klimës do të vihet nën kontroll.

Është momenti kur udhëheqësit botërorë do të diskutojnë nëse është arritur mjaftueshëm që nga marrëveshja historike e Parisit për klimën më 2015.

Johnsoni do të udhëtojë gjithashtu në Uashington, ku pritet të zhvillojë bisedime me presidentin Biden mbi të ardhmen e Afganistanit.

Pasojat nga pakti i ri ushtarak “Aukus” mes Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Australisë gjithashtu pritet të jenë në diskutim.

Sipas marrëveshjes, Australisë po i jepet teknologjia për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Gjatë udhëtimit të tij, Johnson do të takojë gjithashtu nënkryetaren Kamala Harris dhe figura të tjera të larta në politikën amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Minatori Muharrem Plaku është i bllokuar në një nga galeritë…