Jon Cena i jep fund karrierës në ring me një lamtumirë emocionuese: Ishte kënaqësi
Jon Cena, një nga figurat më të mëdha në historinë e WWE, i dha fund karrierës së tij në ring të shtunën mbrëma, duke humbur ndeshjen përballë Gunther në “Saturday Night’s Main Event” në Capital One Arena, Washington D.C.
Në një moment historik, Cena u dorëzua për herë të parë pas gati 20 vitesh, duke humbur me submission nga Gunther — hera e parë që Cena humb në këtë mënyrë që nga viti 2005. Atmosfera ishte emocionuese, me tifozët që përshëndetën Cena-n me ovacione, ndërsa Gunther u prit me fishkëllima. Cena, gjatë hyrjes së tij, shfaqi gjestet ikonike si vrapimi dhe rrëshqitja drejt ringut.
Pas ndeshjes, WWE shfaqi një video homazh për karrierën e tij. I rrethuar nga kolegët, Cena hoqi këpucët dhe shiritat e krahëve si simbol lamtumire. Ai dha përshëndetjen e tij të fundit dhe u shpreh: “Ka qenë kënaqësi t’ju shërbej për gjithë këto vite. Faleminderit.”
Me këtë fitore, Gunther tashmë ka “pensionuar” emra të mëdhenj si Goldberg dhe Cena, duke u pozicionuar si një nga figurat më të frikshme të brezit të ri. Për Cena-n, gjithçka përfundoi me një fund dinjitoz dhe emocionues për një nga legjendat më të mëdha të WWE.



