Joshua cakton datën 13 prill për përballje me Wilderin
Kampioni i botës në peshën e rëndë, boksieri britanik Anthony Joshua, ka konfirmuar se më 13 prill ka caktuar stadiumin “Wembley” të Londrës për t’u përballur ndaj kampionit tjetër të këtij divizioni, amerikanit Deontay Wilder.
“Unë mezi po pres të dueloj ndaj Wilderit më 13 prill në Londër. Ky është një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë që i dërgoj atij. Nuk kam se çfarë të them tjetër”, ka thënë Joshua.
“Unë nuk e di se çfarë mendon apo çfarë dëshiron Wilderi. Po ashtu, nuk mund të kontrolloj atë që dëshiron, mendon apo do Tyson Fury. Unë kontrolloj fatin tim, atë që dëshiroj unë të bëj. Unë kam bërë të mundur që negociatat të nisin me kohë, kam rezervuar kohë më parë stadiumin për këtë sfidë të madhe dhe mezi po pres të përballem me këta djem në ring, veçanërisht me Wilderin, më 13 prill, në ‘Wembley’. Nuk di se çfarë i pengon ata”, ka deklaruar Joshua, i cili nuk dëshiron përballjen me Tayson Furyn, me arsyetimin se ai nuk është kampion i botës.