Jugonostalgjikët dhe kujtesa që nuk shërohet

15 korrik 2025 | 15:15

Shkruan: Arben Rogova

Historia moderne e shqiptarëve në ish-Jugosllavi është një rrëfim i dhembshëm i mashtrimeve, zhgënjimeve dhe shpresave të prera në mes. Është dëshmi e gjallë se çështja shqiptare kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë zgjidhje përmes boshtit sllav, pavarësisht sa breza u mashtruan nga iluzioni i “vëllazërim-bashkimit”. Të gjithë ata që sot ushqejnë një jugonostalgji të heshtur ose të zhurmshme, duhet të përballen me disa të vërteta të thjeshta, por të dhimbshme:

* Serbia nuk na njohu asnjëherë si të barabartë, dhe asnjëherë si popull sovran. Na përdori kur i duhej, na injoroi kur i tepronim dhe na eliminoi kur i kërcënonim projektin nacional.

* Komunistët shqiptarë të lidhur pas PKJ-së, u rreshtuan në formacionin ideologjik të një federate që e përbuzte vetë parimin e vetëvendosjes. Ata nuk qenë prijës të lirisë, por pengje të një mekanizmi kontrolli dhe heshtjeje.

Këtu qëndron nyja e dhimbjes historike: sistemi i Jugosllavisë, ndonëse me pamje federative, kishte për qëllim stabilitetin serb, jo barazinë e kombeve. Prandaj shqiptarët nuk kishin shtetësi reale, por vetëm praninë në një “krahinë autonome” që gjithnjë varej nga vullneti i Beogradit.Edhe pas gjithë kësaj, sot, në Kosovën e lirë, ka zëra që përpiqen ta amnistojnë Jugosllavinë, qoftë si kujtim personal, qoftë si projekt i humbur padrejtësisht. Disa e idealizojnë si “kohë e artë” të rendit dhe të “barazisë sociale”, të tjerë flasin në mënyrë të koduar për “kohët kur kishte stabilitet” apo “kultura e punës së dikurshme”. Por kjo nostalgji, qoftë e sinqertë, qoftë e qëllimshme, na rrezikon të shtrembëroim kujtesën kolektive. Jugosllavia nuk ishte projekt i emancipimit shqiptar, por projekt i kontrollit dhe zhdukjes graduale të subjektivitetit tonë kombëtar.

Jugosllavia ka vdekur. Por frymët e saja, në formën e paternalizmit politik, nostalgjisë për “rregullin e hekurt” dhe glorifikimit të “vëllazërimit” të rremë, po mbijetojnë në diskurse të nënkuptuara e shpeshherë të qëllimshme. Kujtesa është përgjegjësi, jo vetëm ndjenjë. Ajo duhet të mbështetet në të vërteta, jo në iluzione. Dhe e vërteta është kjo: Jugosllavia nuk ishte dhe nuk do të ishte kurrë shtëpi për shqiptarët. Jo ngaqë shqiptarët nuk deshën bashkëjetesë, por sepse shteti jugosllav nuk pranoi asnjëherë barazi reale për ta. Çdo tentativë e tillë u trajtua si kërcënim për stabilitetin artificial të federatës. Të flasësh për këtë nuk do të thotë të nxisësh urrejtje, por të mbrosh kujtesën nga rënia në harresë dhe në rishkrim mashtrues.

E vërteta nuk është urrejtje!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Basketbollisti më i madh i të gjitha kohërave, Michael Jordan,…