Julian Assangit iu ofrua falje nga administrata Trump, thotë avokati i tij

20 shkurt 2020 | 11:46

Avokati i Julian Assange, ka thënë se themeluesi i “Wikileaks”-it, do të tregojë para gjykatës se atij iu ofruar falje nga administrata e presidentit Donald Trump, në këmbim të deklarimit publik se Rusia nuk ishte e përfshirë në hakimin e postës elektronike të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Assange është duke e kundërshtuar ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Ai është arrestuar vitin e kaluar në Londër me kërkesë të ShBA-së, nën akuzën e spiunimit që datonte nga viti 2010.

Seanca gjyqësore ndaj tij do të zhvillohet javën e ardhshme.

Gjatë një seance dëgjimore paraprake, më 19 shkurt, avokati i Assange, Edward Fitzgerald, ka thënë se në vitin 2017-të, ish-ligjvënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Dana Rohrabacher, e ka vizituar Assange, në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Fitzgeraldi i ka thënë gjyqtarit se një avokat tjetër i Assange, Jennifer Robinson, i ka kujtuar se Rohrabacher kishte thënë se vizitën po e bënte me udhëzime nga presidenti Trump dhe se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme ta falnin Assange, ose të ofronin një mjet tjetër për ta liruar, nëse do të thoshte se Rusia nuk ishte të përfshirë në publikimin e email-ave të demokratëve, raporton “Rel”.

Në vitin 2016, ndërsa Trumpi dhe demokratja Hillary Clinton po garonin për presidencën e ShBA-së, WikiLeaks publikoi mijëra email-a nga Komiteti Kombëtar i Demokratëve.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të avokatit, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham ka thënë: “Kjo është absolutisht dhe plotësisht gënjeshtër”.

“Presidenti Donald Trump e njeh Dana Rohrabacher vetëm si një ish-kongresist. Ai kurrë nuk ka folur me të në lidhje me këtë temë ose pothuajse asnjë çështje”, ka thënë Grishami, duke shtuar se ky është një trillim i plotë dhe një gënjeshtër totale.

“Ky është ndoshta një tjetër mashtrim i DNC (Komitetit Kombëtar të Demokratëve)”, ka thënë ajo.

Rohrabacheri, në një deklaratë të publikuar në llogarinë e tij në “Twitter”, ka thënë se ai kurrë nuk ka folur me Trumpin për Assange.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ferizajt vazhdon të jetë pa trajner pas largimit…