Jupa: Besa FamGas, pas Kupës, kërkon titullin

08 maj 2018 | 16:36

Besa FamGas e fitoi Kupën e Kosovës për herë të pestë radhazi, kurse tash po synon të njëjtën gjë ta bëjë edhe në garën për titull.

Skuadra e Besa FamGas e ka fituar Kupën e Republikës së Kosovës në hendboll, pasi në finale e ka mposhtur skuadrën e Prishtinës me rezultat 31-29. Një ditë pas triumfit për herë të pestë në këtë garë, Kastriot Jupa, një prej më meritorëve në suksesin e ekipit pejan, ka thënë se Besa nuk luajti mirë, por në finale rëndësi ka vetëm fitorja. “Kemi hasur në rezistencë të fortë nga Prishtina, por nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. Përkundrazi, kemi bërë shumë gabime në repartin e mbrojtjes. Në finale rëndësi ka fitorja dhe ne e arritëm një gjë të tillë, prandaj jemi shumë të kënaqur që e fitojmë këtë trofe për të pestën herë radhazi”, ka thënë Jupa për “Epokën e re”.

Besa fiton Kupën, vazhdon dominimin

Besa FamGas e ka fituar trofeun e parë për edicionin 2017\18 falë dy golave diferencë në pjesën e parë (18:16). Këtë epërsi skuadra e drejtuar nga trajneri Arben Muqolli e ruajti edhe në pjesën e dytë dhe në fund e ngrehi lart trofeun e Kupës. Synimet e kësaj skuadre janë ta fitojë edhe titullin e kampiones në elitën e hendbollit të Kosovës. Në rast se Besa e arrin këtë sukses, do të jetë për herë të pestë, sikurse në garën e Kupës.

“Ne i kemi të gjitha mundësitë ta fitojmë edhe titullin e kampionit, pra ta mbrojmë për të pestin vit radhazi. Do të ishe e shkëlqyeshme të arrijmë një sukses kaq të madh dhe vështirë se ndonjë skuadër tjetër do ta arrijë në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Lidhur me dominimin absolut të skuadrës pejane në hendbollin e Kosovës në vitet e fundit, Kastriot Jupa ka deklaruar: “Besën e karakterizon organizimi i mirë i brendshëm dhe një stabilitet financiar që nuk e kanë klubet e tjera. Edhe hendbollistët shumë cilësorë dhe atmosfera brenda e ekipit është e jashtëzakonshme, prandaj të gjitha këto sjellin në fund rezultate”.

Në finalen e zhvilluar në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Egzon Gjuka me 12 gola ishte më meritori për suksesin e Besës, kurse 10 gola i shënoi Kastriot Jupa. Ndërsa te Prishtina më efikasi ishte Petrit Prekazi me nëntë gola. Nga shtatë gola i shënuan Beni Syla e Deniz Terziqi.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës ka marrë…