Juventusi shpreh interesim për Ardon Jasharin
Në planet e merkatos së Juventus për sezonet e ardhshme ka dalë në pah një emër surprizë nga AC Milan.
Sipas La Gazzetta dello Sport, drejtuesit bardhezi kanë shprehur interesim për yllin e Kombëtares së Zvicrës me prejardhje shqiptare, Ardon Jashari.
Ndërkohë që trajneri Luciano Spalletti është i përqendruar te ndeshja e radhës në kampionat, drejtuesit po punojnë për t’i vënë në dispozicion një skuadër më konkurruese për sezonet në vijim.
Ideja nuk është zëvendësimi i Manuel Locatelli, por pasurimi i repartit të mesfushës, sidomos në funksion të një sistemi 4-3-3 që kërkon një organizator loje cilësor dhe dinamik.
Aktivizimi i pakët te kuqezinjtë ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Zonjës së Vjetër, të cilët po monitorojnë situatën në rast se lojtari vendos të kërkojë më shumë minuta diku tjetër.
Megjithatë, Jashari nuk është i vetmi objektiv për mesfushën, në listën e dëshirave është edhe Pierre-Emile Højbjerg, një profil me eksperiencë që mund të japë stabilitet dhe balancë në repart.



