Ka mobilizim për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

23 maj 16:27

Situata e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile. Kosova ka arritur progres në luftimin e kërcënimeve që rrjedhin nga terrorizmi, kurse anëtarësimi i Kosovës në Interpol mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kështu ka thënë të martën, në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka.

Zeka është i bindur se qeveria në të cilën bën pjesë ka treguar rezultate pozitive në qeverisje duke zhbllokuar disa procese jetike dhe të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se kjo Qeveri ka krijuar një frymë të bashkëpunimit me aktorët e opozitës dhe të sferës së gjerë të shoqërisë për temat e mëdha dhe të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

Zëvendësministri Zeka ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë në rajon.

 “Epoka e re”: Z. Zeka, si partner i koalicionit që është PDK-ja në këtë Qeveri, sa jeni i kënaqur me qeverisjen në vend?|
Zeka: Koalicioni qeverisës, pjesë e së cilës është edhe Partia Demokratike e Kosovës si parti që ka vënë interesin shtetëror si parim kryesor politik, ka shtuar dinamikën e reformave dhe të qeverisjes, duke zhbllokuar disa procese jetike dhe të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për shtetin, si avancimi dhe jetësimi i lëvizjes së lirë pa viza në Zonën Shengen si dhe avancimin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Kemi krijuar një frymë të bashkëpunimit me aktorët e opozitës dhe të sferës së gjerë të shoqërisë për temat e mëdha dhe të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, atë të avancimit të Kosovës në sferën ndërkombëtare, përmbylljen e procesit të dialogut me Serbinë që ka si rezultat përfundimtar edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Jemi në proces të ndërmarrjes së reformave të rëndësishme sektoriale dhe projekteve të mëdha infrastrukturore për të cilat do të sjellin përfitime të mëdha për Kosovën në aspektin e zhvillimit ekonomik në të ardhmen. Gjithashtu, mbetemi të përkushtuar për fqinjësi të mirë si parim kryesor i bashkëpunimit rajonal.

“Epoka e re”: Opozita po thotë se kjo është Qeveri e brishtë.
Zeka: Roli i opozitës është të kontribuojë në mënyrë konstruktive në zhvillimet në vend dhe t’i korrigjojë gabimet apo mungesën e progresit nga ana e pozitës. Por, kjo nuk po ndodh. Kjo po vërehet në tryezat e organizuar nga partitë e ndryshme, në të cilat opozita kërkesë kryesore ka shkuarjen në zgjedhje, dhe jo diskutimin e temave të rëndësishme për vendin, për të cilat kërkohet konsensus mbarëkombëtar. Besoj se kjo Qeveri ka dëshmuar dinamikë të shtuar të punës dhe ka dhënë rezultate në procese të ndryshme të rëndësishme për vendin.

“Epoka e re”: A mund të mbijetojë deri në fund të mandatit ky koalicion qeverisës?
Zeka: Besoj fuqishëm se ky koalicion do ta çojë mandatin e vet deri në fund dhe do të arrijë rezultate të mëdha në konsolidimin e proceseve të rëndësishme për shtetin e Kosovës si për ndërmarrjen e reformave që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e jetës së qytetarit të Kosovës, por edhe në avancimin e proceseve në sferën e integrimit evropian dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ne si PDK besojmë se do të vazhdojmë të mbetemi në pushtet edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës.

“Epoka e re”: Ju si po e ndieni veten si zëvendësministër i Punëve të Brendshme kur kemi parasysh se janë rreth 70 zëvendësministra të tjerë në këtë Qeveri. Dhe në këtë drejtim ka pasur kritika për numër të madh të zëvendësministrave?
Zeka: Unë jam emëruar në pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme nga ana e kryeministrit të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë se punoj në një ministri dhe sektor shumë të ndjeshëm dhe të rëndësishëm, për të cilën ka nevojë për shumë ekspertizë dhe angazhime në vendimmarrje për politikat e Qeverisë për sektorin e sigurisë dhe për përgjegjësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Duhet theksuar se, përveç të tjerash, Ministria e Punëve të Brendshme koordinon një numër të konsiderueshëm të strategjive kombëtare me përgjegjësi implementuese ndërinstitucionale për çfarë kërkon edhe përcjellje të këtyre strategjive të nivelit politik dhe vendimmarrës. Unë besoj se secili zëvendësministër ka hapësirë dhe punë për të punuar në drejtim të zhvillimit të proceseve që presin Kosovën, sidomos në aspektin integrues dhe atë ekonomik.

 “Epoka e re”: Cili është angazhimi juaj për kryerjen e detyrave si zëvendësministër në MPB?
Zeka: Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme jam caktuar koordinator i tri strategjive kombëtare: strategjisë kombëtare për migrim, strategjisë kombëtare për riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe strategjisë kombëtare për armët e vogla dhe të lehta. Përveç caktimit në cilësinë e koordinatorit për këto tri strategji duhet theksuar se jam vazhdimisht i angazhuar për përcjelljen e agjendës politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ministrit.

“Epoka e re”: Cila është situata e sigurisë në vend?
Zeka: Situata e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë dhe nuk ka indikacione të kërcënimeve për sigurinë në vend dhe më gjerë. Ky vlerësim është dhënë edhe nga mekanizmat e sigurisë në vend dhe nga ato ndërkombëtare. Kemi bërë progres të rëndësishëm në luftimin e kërcënimeve që rrjedhin nga terrorizmi dhe kemi partneritet të shkëlqyer me mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë në fushën e sigurisë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi që mund t’i kanoset vendit.

“Epoka e re”: Po në veri?
Zeka: Situata në veri është e qetë dhe tani kemi arritur ta shtrijmë sovranitetin në këtë pjesë të territorit të Kosovës dhe të ofrojmë qasje në shërbime publike dhe në ato të sigurisë. Gjithashtu, kemi ndërmarrë masa për t’i luftuar të gjitha format e krimit të organizuar edhe në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

 “Epoka e re”: Çfarë aktivitetesh është duke bërë MPB-ja për anëtarësim në Interpol?
Zeka: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol mbetet një nga prioritet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Jeni të njoftuar se së fundi kemi arritur që përmes lobimit të vendosim Kosovën në agjendën për votim në sesionin e ardhshëm të Asamblesë së Interpolit që do të mbahet në fund të këtij viti. Gjithashtu, kemi një grup punues ndërinstitucional dhe ka mobilizim të gjerë, në veçanti të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në koordinim të procesit dhe hartimit të strategjive të lobimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Epoka e re”: Paraqitja e problemit me armë të vogla në Kosovë fillet i ka pasur luftës së vitit 1998-99 dhe, si pasojë, ne kemi numër të konsiderueshëm të armëve të cilat kanë mbetur në duart e qytetarëve. Çfarë po bëni në këtë drejtim si MPB?
Zeka: Ne si Ministri e Punëve të Brendshme dhe Qeveri e Kosovës kemi hartuar politika specifike për adresimin e këtij problemi, i cili shfaqet me pasoja, sidomos gjatë festimit të ceremonive të ndryshme gjatë verës. Ne do të vazhdojmë që përmes mekanizmave politikë dhe operacionalë t’i bindim qytetarët e Kosovës të mos mbajnë armë të vogla, sidomos në mënyrë joligjore, sepse Kosova i ka mekanizmat që ofrojnë siguri individuale dhe kolektive.

Faton DERMAKU

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendi i Maqedonisë dhe Serbisë është në Bashkimin Evropian (BE).…