Kabashi: Përjashtimi i gazetarëve nga moderimi në RTK po tingëllon si kompromis për mbështetje financiare

25 gusht 2025 | 20:26

Ish-drejtori i RTK’së, gazetari Festim Kabashi, ka reagaur pas vendimit të menaxhmentit të RTK-së, për t’i larguar nga moderimi i emisioneve gjashtë gazetarë dhe redaktorë, duke e cilësuar si të paprecedentë.

Kabashi ka thënë se vendimi për përjashtimin e tyre u mor ditën kur u ekzekutuan pagat, duke ngritur dyshime se menaxhmenti mund ta ketë bërë këtë kompromis në këmbim të mbështetjes financiare për RTK-në, shkruan Reporteri.net.

“Vendimi duket si censurë e hapur ndaj gazetarëve që kanë guxuar të bëjnë pyetje, të raportojnë me integritet dhe të kërkojnë të drejtat e tyre – përfshirë rastin e vonesës së pagave për më shumë se 20 ditë, si dhe intervistat e fundit që shpërfaqën arrogancën dhe papërgjegjësinë e disa pushtetarëve në lidhje me dyshimet për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të parasë publike. Aq më shqetësues është fakti se ditën kur më në fund u ekzekutuan pagat, erdhi edhe njoftimi për largimin e tyre nga ekrani – një koincidencë që po tingëllon si kompromis në këmbim të mbështetjes financiare për RTK-në”, ka shkruar Kabashi.

Ndryshe, gjashtë gazetarë dhe redaktorë të RTK’së kanë denoncuar censurën alarmante në RTK nga menaxhmenti i lidhur me pushtetin. Drejtori i RTK’së, Rilind Gërvalla, është ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes reagimeve që kanë ndarë në Facebook, Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, kanë njoftuar se të njëjtit të premten janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve, magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.

Sipas tyre, ata kanë marrë paralajmërime për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional. Intervista e fundit ishte realizuar pikërisht nga Blerta Foniqi Kabashi me deputeten e VV’së, Fitore Pacolli, e cila gjatë intervistës ishte lëshuar në sulme ndaj gazetares.

“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”, thuhet në reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit…