KADRI UJKAJ DHE SHKODRA E ALBANOLOGJISË

29 maj 00:38

Prof. dr. Begzad Baliu

Në vitin 2001 me një grup studiuesish nga Kosova po merrja pjesë në Konferencën “Seminari Ndërkombëtar Shkodra në Shekuj”. Pas një komunikimi të ndërsjellë me studiues, shkrimtarë dhe publicistë e intelektualë, kryesisht të Shqipërisë Veriore (Profesor Jup Kastratin, Profesor Ahmet Osjen, Skënder Drinin, Profesor Tomor Osmani, Mentor Qukun, Profesor David Lukën, Profesor Kolec Topallin, shkrimtarin Fadil Krajën,shkrimtarin e publicistin Nikollë Spathari, juristin Dashamir Uruçi, shkrimtarët Fadil Kraja e Skënder Temali etj.), veprat e disa prej të cilëve në Kosovë ishin bërë të njohura madje që në vitet ’70, tani ishte rasti të njiheshim dhe të bisedonim edhe me një numër studiuesish, shkrimtarësh dhe intelektualësh, të cilët në rrethana të reja, të një periudhe të vrazhdë postkomuniste, përpiqeshin të mbijetonin ndërmjet Shkodrës dhe Tiranës dhe madje ndërmjet Shkodrës dhe periferisë epike të Shqipërisë Veriore.

Duke marrë pjesë në seancat e shumta dhe shumëdimensionale të “Seminarit”, të cilat mbaheshin në amfiteatrot e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke diskutuar në takimet organizative që mbaheshin në ambientet e Muzeut të Shkodrës dhe madje në kafiteritë përreth, kishim rastin të takonim një brez të mesëm dhe të ri studiuesish, shkrimtarësh e publicistësh shkodranë, në mesin e të cilëve shquheshin edhe gjuhëtari i doktoruar në Austri, Profesori Petrit Kotrri, shkrimtari i një sensi tipik postmodern Ridvan Dibra, kritiku dhe publicisti Kadri Ujkaj, të cilët në jetën universitare, shkencore, kulturore dhe krijuese të Shkodrës e më tej, sillnin përmbajte të reja shkollash europiane, dhunti individuale dhe frymë bashkëkohore komunikimi.

Duke përcjellë sesionet shkencore të “Seminarit Shkodra në Shekuj”, me sytë e një asistenti të Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke marrë pjesë në organizimin e tij dhe kur e kur duke marrë pjesë në diskutimet diturake, veç tjerash në këtë “Seminar” kisha krijuar një ide më të plotë: për skrupulozitetin enciklopedik të Profesor Jup Kastratit, individualiteti dhe vepra e të cilit nuk tundej as nga ndryshimet ideologjike as nga ndryshimet politike; për diskutimet e zjarrta dhe refuzuese të Profesor David Lukës, të cilën e kaluara ideologjike e kishte ndrydhur tepër shumë dhe tani me jetën, me veprën dhe me diskutimet e përditshme sikur përpiqej ta përplotësonte në të gjitha përmasat; për shërbestarin tipik të shkollës austriake Profesorin Petrit Kotrri, i cili me sjelljen dhe me pamjen e tij, me fjalësin e paktë dhe me dorën e ngrohtë, dinte ta ndihmonte secilin dhe t’i ngrohte ambientet e ftohta, e kur e kur të vrazhdta të këtyre institucioneve; për diskutimin prej pastori për çështje të gjuhës të Profesor Kolec Topallit; për bukurinë qiellore dhe kulturën intelektuale të Esmeralda Uruçit, që aq bukur bashkoheshin në ligjërimin shkencor të saj; për zemërgjerësinë e paskajshme të drejtorit të Muzeut të Shkodrës, Mentor Quku, që me fjalën dhe bëmat e tij prej dhuntari e mbushte atmosferën e “Seminarit”me shkëlqim dhe buzagaz…

Në ambientet universitare, shkencore dhe kulturore të Shkodrës së vitit 2001 më kishte rënë në sy edhe një studiues, publicist a krijues, nuk e kisha të qartë fillimisht, ndërsa po kaq të paqartë ma bënte komunikimi i nxituar me të. Prej pamjes së tij, në të vërtetë prej shikimit zhbirues të tij, që ngjante në zogun e përqendruar grabitqar, prej fjalësit sa etnografik aq edhe filozofik të tij, prej komunikimit të rrëmbyeshëm të tij, me të cilin sa hapte tema individuale po kaq insistonte të mbyllte ide dhe konstatime universale, më bënte të mendoja për të kaluarën e tij të trazuar dhe të‘rrethuar’ në zonat epike të Malësisë së Madhe prej nga vinte dhe për përpjekjet e tij që të zinte vend në rrethin e intelektualëve e të studiuesve në ambientet urbane të Shkodrës a të Tiranës, ku pretendonte.

Që ditën e parë ma pati dhuruar një vepër, një botim mjaft cilësor për kushtet e atëhershme të botimeve tona, për të cilën filloi të më fliste gjerë e gjatë, sado ende nuk e dija as e kisha idenë për objektin e studimit. Vetëm më vonë e kuptove se fjala ishte për veprën ”Ky krushk i qytetërimit të madh”, me objekt studimi veprën letrare të Kadaresë. I thash menjëherë se veprën do të filloj së lexuari që në mbrëmje në hotel, por ai në vend të falënderimit të zakonshëm, sikur u vu në siklet, se nuk do ta kuptoja qëllimin e saj, prandaj më shpjegoi edhe një varg synimesh të tij e m’i interpretoi një listë citatesh të filozofëve që kishte marrë në ndihmë të shpjegimit të koncepteve të tija. Në margjinat e shpjegimeve të tij për veprën i thash se e kisha një ves të keq: filmat, përmbajtjet e të cilëve i dija që më parë, vështirë i shikoja deri në fund, por kjo nuk më ndihmoi që t’i përmbyllte shpjegimet e tij prej mësimdhënësi, një ves të cilin jeta prej ligjëruesi në Universitet shpesh më ka bërë të kujtoj se po e “përvetësoj” edhe unë.

Prej vitit 2001 e deri më tash, studiuesin, kritikun, gazetarin dhe eseistin Kadri Ujkaj, e kam takuar shumë herë dhe prej këtij viti kam lexuar shumë vepra e shumë artikuj të tij nga përditshmëria jonë. Në të vërtetë, prej vitit 2001 kam mësuar shumë nga jeta e tij mjaft e trazuar, nga jeta dhe krijimtaria e jashtëzakonisht e angazhuar, nga përvoja e pasur prej gazetari dhe prej intelektuali, që jetës shkencore, kritikës, gazetarisë dhe publicistikës i ka dhënë veçantitë dalluese të tij. Për dy dekada me radhë nga penda e tij, pas librit të parë të botuar në vitin 2000 dhe të dhuruar në vitin 2001, kam lexuar edhe veprat të tjera me karakter publicistik, shkencor, kritik dhe estetik: Kryqëzimi modern i gjenive (“Onufri”, Tiranë, 2001), Kurthi i fjalës (“Idromeno”, 2003), Lukë Kaçaj (“Mokra” Tiranë, 2003), Korifenjtë në krizën e dritëhijeve(Medaur”Tiranë, 2007), Kur dashurohemi me kultkoniunkturën… (”Rozafat”, Shkodër, 2007), Kriza si dehje nga entuziazmi modern (“Rozafat”, Shkodër, 2014), Kush jemi…,ku po shkojmë(“Fiorentia”, 2017), si dhe studime të tjera, prej të cilave më parë se sa të ndryshoja mendimin, e kam përplotësuar atë shumanshëm me tema, qasje, ide dhe diskutime tipike të penës së tij.

Duke lexuar tekstet eseistike të Kadri Ujkajt në radhë të parë më ka bërë përshtypje natyra metodologjike e tyre, përkatësisht modeli i kërkimit dhe qëndrimi kritik ndaj problemit. Duke lexuar esetë, studimet dhe artikujt kur kritik e kur me ton polemizues nuk është vështirë të mos e vësh re një prirje të tij që objektin e temave të mëdha ta pasurojë me referenca universale, por duke reflektuar gjithnjë unin e tij, ndërsa objektin e temave të vogla ta universalizoj mbi bazat e një filozofie unike dhe gjithëkohore. A është ky një prej parimeve themelore të tij pse temat e mëdha të mendimit të sotëm shkencor (letërsia, kritika, Tirana, Shkodra, Migjeni, Koliqi, Qosja, Kadare, Agolli, poezia, kultura), më parë se sa të bëhen objekt trajtimi bëhen objekt diskutimi i mendimit kritik, përkatësisht objekt i shqyrtimit të thellë e krahasues të literaturës së gjertanishme. E kjo do të thotë, më parë se sa të bëhen objekt trajtimi e vlerësimi bëhen objekt i çlirimit folklorik të gjertanishëm. Për filozofinë e studiuesit Kadri Ujkaj temat e mëdha shqiptare që në fillim duhet të çlirohen prej mitizimeve dhe individualizimeve të kushtëzuara klanore dhe krahinore, një dëshmi kjo e përgjegjësisë tipike e studiuesit të përkushtuar ndaj mendimit kritik dhe gazetarit me përgjegjësi publike.

Mbi këto parime, me këtë gjuhë dhe me këtë individualitet, veç tjerash Kadri Ujkaj ka shkruar artikuj, ese, kritika, analiza dhe madje sinteza shkencore për Migjenin, të cilin e quan Korifeu i kohёs sё njeriut, ndërsa anatemuesit e  tij i quan peng të injorancës së tyre; për Ismail Kadarenë, tek i cili sheh krijuesin postmodern; për Profesor Ahmet Osjen, të cilin e cilëson Emblemë të gjallë të Malësisë së Madhe; për Profesor Rexhep Qosjen, tek i cili identifikonte rilindësin e fundit, polemistin më elekuent të kohës sonë, si shenjën ogurmirë të kthimit vlerave identitare; për gjuhën poetike, në trajtesën sintetike dhe filozofike për kritikun letrar, gjuhën poetike dhe gjuhën e shpirtit etj.

Duke lexuar persiatjet, esetë dhe artikujt kritikë e polemizues të Kadri Ujkajt, shkruar sidomos dy dekadat e fundit, ne shohim me kërshëri trajtesat sociologjike të bashkëkohësit të tij Moikom Zeqos, të shkruara që nga vitet ’90, si dhe trajtesat historiko-letrare e sociologjike të Profesor Rexhep Qosjes të shkruara nga vitet ’70 e këndej. Diskutimi i tij i gjithanshëm, natyra filozofike dhe kritike e interpretimit të dukurive dhe fenomenve letrare e kulturore, kanë bërë që lexuesit të gjejnë në këto vepra dhe artikuj të Kadri Ujkajt mendimin brilant të studiuesit me prirje individuale kërkimi.

I përkushtuar ndaj parimësisë më parë se sa prej interesave vetjake, Kadri Ujkaj ka shkruar me të njëjtin përkushtim, si në veprat e tij me karakter sintetik a me karakter monografik ashtu edhe në artikujt e shkurtër problematik. Kjo ka bërë që duke shkruar për çështje të natyrës aktuale shoqërore të jetë shumë i përkushtuar ndaj fakteve historike dhe gjuhës së përdorur, ndërsa duke shkruar për tema të mëdha historiko-letrare dhe filozofike të jetë i përkushtuar sa më shumë ndaj mendimit kritik, paradigmat historike dhe nocionet shkencore.

Le të jenë këto vetëm disa prej arsyeve pse studiuesi, kritiku, gazetari dhe publicisti Kadri Ujkaj, në rrethet shkencore dhe në rrjedhat letrare e publicistike të hapësirës shqiptare ka zënë me kohë vendin e tij të veçantë. Diskutimi mbi veprat dhe artikujt veç e veç, këtu, sigurisht do të na rikthente në vitin 2001.

Një rastësi apo një realitet!

Prishtinë, më 15 gusht 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për vendimin e Kushtetueses, ka reaguar edhe personazhi i shumëpërfolur…