Kadrijaj i PDK-së: Qeveria Kurti i shkaktoi vendit mbi 1 miliard euro humbje

31 maj 2020 | 16:52

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë përgjegjës Qeverinë Kurti në ikje për keqmenaxhim të situatës ekonomike gjatë kohës së pandemisë. Ajo u tregua e paaftë, jo efikase dhe dështoi karshi nevojave të ekonomisë së vendit.

Në konferencën për media, eksperti për ekonomi i PDK-së, Blerand Kadrijaj, ka thënë se Qeveria u tregua e paaftë dhe dështoi karshi nevojave të ekonomisë së vendit.

“Qeveria tani më e shkarkuar Kurti, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për shkak të keq-menaxhimit të buxhetit, e sidomos Pakos Emergjente financiare gjatë pandemisë ka rrezikuar stabilitetin makro-fiskal të shtetit të Kosovës. Qeveria me politikat e gabuara dhe me zbatim të vonuar të Pakos, ka rrezikuar falimentimin e shumë ndërmarrjeve private. Kështu, ka ndikuar në humbjen e mijëra vende të punës e duke i zhytur mijëra shtetas të Kosovës në varfëri”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky skenar i një ekonomie në kolaps, ka mundur të evitohet nëse Qeveria do ta kishte marrë seriozisht menaxhimin e situatës ekonomike.

“Edhe pse ekonomia e Kosovës kishte rritjen më të lartë në rajon në vitet e kaluara, e ku parashihej të rritej me mbi 4% në vitin 2020, si rezultat i masave frenuese të ndërmarra nga Qeveria dhe mos implementimi me kohë i pakos emergjente financiare, sipas Bankës Botërore, ekonomia tani pritet të pësojë një rënie mbi 11% sipas skenarit pesimist; rënien me të lartë në rajon. Gjithashtu, skenari i padëshirueshëm vjen si rezultat i vazhdimit të masave frenuese, duke mos e stimuluar ekonominë e vendit përmes politikave adekuate”, ka thënë ai.

Në vlera numerike, sipas Kadrijajt, rënia ekonomike prej 11.3 për qind në Kosovë, do të thotë tkurrje/rënie e BPV prej rreth 800 milionë euro për vitin 2020.

“Përkundër qëndrimit zyrtar të Qeverisë së shkarkuar, të cilët kishin deklaruar se varësisht nga kohëzgjatja e problemit me pandeminë, në baza vjetore, parashikimet flasin për një rënie të mundshme kumulative të të hyrave tatimore nga 7.5 e deri në 12.5% të buxhetit vjetor. Në terma monetar, kjo nënkupton që buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra se sa ato të kalkuluara në muajin shkurt”, ka shtuar ai.

Sipas tij, situata aktuale është shumë më e rëndë se sa parashikimi ministrit të Financave.

Ai thotë se rënia reale e pranimeve buxhetore në bazë të të dhënave zyrtare, është 242 milionë euro, apo 28% më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë për vitin 2019.

“Sa i përket ekzekutimit të buxhetit, Ministria e Financave dhe Transfereve, ka punuar në kundërshtim me praktikat e mira dhe me teoritë themelore ekonomike, se si të veprohet në kohë të recesioneve. Përmes rritjeve të investimeve kapitale, stimulimit financiar të sektorit privat, ofrimit të përkrahjes për të siguruar likuiditet, aktivitet ekonomik si dhe suspendimin e përkohshëm të ngarkesave tatimore ndaj sektorit privat, e ndihmon rivitalizimin e ekonomisë së përgjithshme”, ka shtuar ai.

Kadrijaj thotë se Qeveria ka rritur shpenzimet në tri kategori operative: paga dhe mëditja 13 milionë (6.6%), mallra dhe shërbime 2 milionë (2.7%), subvencione dhe transfere 18 milionë (8.8%), ndërsa ka ulur shpenzimet në investimet kapitale për -30 milionë (34%), krahasuar me vitin e kaluar, apo 75 milionë (56%), krahasuar me vitin 2018, duke dëmtuar drejtpërdrejt aktivitetin ekonomik të sektorit privat.

Sa i përket implementimit të Pakos Emergjente Financiare nga ana e Qeverisë, ai ka renditur këto probleme:

1. Pakoja Emergjente ka qenë e vonshme dhe pa bazë ligjore, është anashkaluar Kuvendi i Republikës së Kosovës, e sidomos opozita që ka qenë e gatshme të bashkëpunojë.

2. Pakoja Emergjente, ka qenë e mangët duke e trajtuar kryesisht gjendjen sociale e duke injoruar sektorin privat si punëdhënësin më të madh në Republikën e Kosovës. Edhe pse fokusi kryesisht në skemën sociale, është me rëndësi të theksohet që jo të gjitha kategoritë sociale janë përfshirë në këtë pako.

3. Pakoja Emergjente ka qenë dhe vazhdon të jetë vështirë e implementueshme, shumë e paqartë për palët përfituese. Ndërsa është implementuar me qasje selektive, sidomos ndaj ndërmarrësve që nuk kanë treguar afërsi me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke mos bërë pagesa me kohë, ose nuk u është bërë fare.

4. Mediat e pavarura dhe kritike, janë anashkaluar nga Qeveria, edhe përkundër faktit se kanë luajtur një rol tejet të rëndësishëm në informimin e qytetarëve gjatë pandemisë.

“Vlera totale e implementimit të Pakos Financiare Emergjente, është rreth 179 milionë euro, të cilat prej tyre deri më tani janë alokuar 65 milionë euro, ndërsa janë ekzekutuar 54 milionë euro, apo 30% e vlerës së planifikuar. Është me rëndësi të theksohet që në këtë fazë, shumica e vendeve të rajonit janë duke implementuar pakon e dytë për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendeve të tyre”, ka shtuar ai.

Pasojat për ekonominë e Republikës së Kosovës, si rezultat i keqmenaxhimit;

Rënia e BPV-së për rreth 800 milionë euro

Remitencat rreth 150 milionë euro më pak me trendin aktual për vitin 2020.

Humbjet buxhetore për vitin 2020 me trendin aktual, mbi 300 milionë euro

Humbje të vendeve të punës

Falimentimi i shumë ndërmarrjeve vendore

Humbjet e investimeve të huaja direkte:

Contour Global, 1.3 miliardë euro investime në energji, për 5 vite

Dëmet mbi 20 milionë, në rast të humbjes së rastit në arbitrazh

Humbja e fondeve të huaja, duke përfshirë fondet e MCC-së 200 milionë euro.

Mbi 150 mijë qytetarë do të varfërohen në Kosovë, sipas raportit të Bankës Botërore

Rrezikohet ulja e pagave në sektorin publik si dhe ekzekutimi i pagesave për skemat sociale në tre-mujorin e fundit, bazuar me trendin aktual të të hyrave buxhetore.

Rekomandimet e PDK-së:

Ristrukturimi i Pakos Ekonomike – Qeveria të fillojë urgjentisht planifikimin dhe implementimin e pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë. Pakoja të jetë me fokus në sektorin privat, duke mbështetur punëtoret si dhe ndërmarrësit për tejkalimin e krizës ekonomike dhe sociale.

Hapja e tërësishme ekonomisë së vendit – në përputhje me praktikat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore, ekonomia e Kosovës duhet të hapet në tërësi. Duke mos krijuar kufizime apo pengesa për operimin e ndërmarrësisë.

Hapja e kufirit me vendet e rajonit dhe me Bashkimin Evropian në afatin sa më të shpejtë, për t’u siguruar qarkullimi i mallrave dhe shërbimeve, si dhe qarkullimin e qytetarëve të vendit.  (A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj vendimeve…