“Kadriun s’e kam njohur kurrë, Thaçin dhe Selimin po’, dëshmitari i 24-të thotë se UÇK-ja s’kishte strukturë të mirëfilltë

12 shtator 2023 | 17:10

Ish-komandant i UÇK-së e ish-anëtar i LDK-së ka qenë dëshmitari numër 24 në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.

Ai të martën ka dëshmuar në Hagë me masa mbrojtëse, ku ka folur duke nisur nga struktura e UÇK-së, e deri te koalicionet LDK-PDK pas luftës.

Ai ka thënë se UÇK-ja nuk kishte strukturë të mirëfilltë dhe përbëhej nga bujq e fshatarë që ishin ngritur për ta mbrojtur vendin.

Avokati  i Kadri Veselit, Ben Emmerson e ka pyetur dëshmitarin për një takim në zonën e Dukagjinit ku kishte marrë pjesë Ramush Haradinaj dhe më pas ka bërë krahasime me zonën ku ka funksionuar dëshmitari.

“Jemi në gjysmën e dytë të qershorit në procesin e vetëformimit të Zonës së Dukagjinit. Te komandanti, Ramushi thotë se nuk po na jepet mbështetja e duhur nga shtabi i përgjithshëm. A ka ndodhur kështu edhe në zonën e Pashtrikut?”, ka pyetur Emmersoni.

“Nuk kemi pasur pozita të shumta, kam pasur zëvendësin tim, shef të operativës, komandant të njësisë për reagime të shpejta dhe komandant të togjeve”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari e ka pranuar se shumë deklarime e njoftime nga UÇK-ja bëheshin për ta prezantuar ushtrinë si më të organizuar para popullit edhe pse nuk ishte e tillë.

“Një ndër detyrat kryesore është edhe ruajtja e moralit të lartë”, ka thënë dëshmitari.

Ai e ka pranuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të mirëfilltë.

Dëshmitari ka deklaruar se në vitin 1998, shtabi i përgjithshëm nuk kishte efekt mbi UÇK-në dhe as nuk kishte bashkërendim ndërmjet zonave dhe shtabit të përgjithshëm.

“Në Llukë të Ulët në Deçan caktoheshin persona si roje natën. Ata ishin vullnetar, të paarmatosur, pa uniforma. Në Llukë të Ulët, disa mbrojtës zgjidhnin të vishen me xhinse të errëta për t’u identifikuar si mbështetës të UÇK-së. Në prill 1998 disa fshatarë patën mundësi të gjenin uniforma ushtarake me kamuflazhin e UÇK-së”, ka thënë Emmersoni.

“Zonën e kanë kontrolluar ushtarët në rrugën kryesore, i kemi pas ushtarët kanë vëzhguar kanë komunikuar me qytetarët, i kanë ndihmuar. Kjo ka qenë”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka deklaruar se pas sulmeve në Dukagjin gjendja e tyre ishte dukshëm më e rënduar, raporton “Nacionale”.

Ndërsa Emmersoni ka thënë: “Ka një konstatim që nga fundi prillit forca serbe ishin rritur në Dukagjin dhe shumica e fshatrave në këtë zonë ishin rrethuar nga forcat serbe dhe kishin ngritur linjën mbrojtëse, dhe kur sulmoheshin fshatrat e tjerë shkonin të ndihmonin. Ju na thatë për sulmet serbe në veri të zonës tuaj në fillim të korrikut, a ishit ju në dijeni të faktit që po rritej prania e forcave serbe?”.

“Sigurisht që ne njërën anë u dashke me marrë popullatën në mbrojtje sepse predhat kanë ndodhur që 4-5 predha në fshat me u zbraz për një ditë dhe jemi munduar me strehuar popullin dhe në të njëjtën kohë u dashke me u mundu për sigurimin e armatimit”, ka thënë dëshmitari.

Emmersoni e ka pyetur dëshmitarin lidhur me një deklaratë ku ishte marrë vendim për unifikimin e qeverisë në ekzil dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmitari aty ka thënë se  Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin i ka njohur, kurse Kadri Veselin asnjëherë.

“Hashim Thaçin e kam njohur gjatë luftës. Kemi qenë në institucione bashkë. Rexhep Selimin e njoh para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës. Sokol Bashotën gjithashtu. Adem Grabovcin ka pasur funksione publike. Të tjerët asnjë nuk i njoh. Kadri Veselin se kam njohur kurrë, deri pas luftës kur ka marrë funksione”, ka thënë dëshmitari.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me përfundimin e merkatos së verës, janë të shumtë futbollistët…