Kaiserslauterni mund të shkojë në Evropë dhe të bjerë nga Bundesliga 2

04 prill 2024 | 17:14

Nëse do të ekzistonte akoma Kupa e Kupave, Kaiserslauterni do ta kishte tashmë të garantuar vendin në këtë kompeticion për vitin e ardhshëm. Edhe pse në nivel kombëtar, në rastin më të mirë, do të siguronte qëndrimin në Bundesligën 2.

Po, sepse kur kanë mbetur shtatë javë deri në fund të divizionit të dytë, skuadra është e treta nga e fundit në renditje dhe e detyruar të hyjë në “play out”, për të mos rënë nga kategoria.

Ky është paradoksi i “Roten Teufel” (nga gjermanishtja: “Djajtë e Kuq”), që arritën në finalen e DFB-Pokal. Në rrugëtimin e tyre deri në finale patën fatin të sfidonin vetëm një ekip të Bundesligës, Këlnin, në raundin e 32-të, por megjithatë eliminuan skuadrat e Bundesligës 2 si Nuremberg dhe Hertha.

Në gjysmëfinale eliminuan Saarbrucken, përrallën më të bukur të këtij edicioni. Më 25 maj, në “Olympiastadion” të Berlinit do të përballen me Bayer Leverkusenin e pathyeshëm: verdikti është i qartë në letër, por ndoshta “Aspirinat” për një ditë do të dështojnë.

Kaiserslauterni ka bërë disa surpriza të bujshme në të kaluarën: më e pabesueshmja, ajo e Bundesligës 1997/98, të cilën e fituan si ekip i sapongjitur në elitë, përpara Bayernit të Giovanni Trapattonit.

Ato ishin ditët e Otto Rehhagelit në bankinë dhe të Olaf Marschall, që shënonte me breshëri.

Me kalimin e viteve, nisi rënia, me praninë e fundit në Bundesligë në 2011/12. Në vitin 2018 ndodhi rënia më poshtë, një ferr katërvjeçar përpara se të kthehej në Bundesligën 2. Sot, pavarësisht mijëra vështirësive, Kaiserslauterni ka një rekord shikuesish që e ëndërrojnë edhe disa emra të mëdhenj të Serisë A: “Fritz-Walter Stadion” mbushet mesatarisht me 40.5 mijë shikues në çdo ndeshje. Dashuria për fanellën nuk shuhet, pavarësisht kategorisë. Ky është rasti i Kaiserslauternit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“SM TABAK” SH.P.K, shpall te PAVLESHME certifikaten e biznesit me…