
Kallas: Viti 2030, objektiv realist për integrimin e Shqipërisë në BE
Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, e ka cilësuar vitin 2030 si një objektiv realist për integrimin e Shqipërisë në BE, por ka theksuar se ky qëllim varet nga përmbushja e reformave dhe zbatimi i tyre në praktikë.
Këtë deklaratë, ajo e ka dhënë gjatë konferencës së përbashkët për medie me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare të Kallas në Tiranë.
“Viti 2030 është një objektiv realist, nëse të dyja palët bëjnë mirë detyrat e shtëpisë. Nuk mjafton vetëm miratimi i reformave, por është thelbësore që ato të zbatohen”, ka thënë Kallas.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për rolin e reformave në drejtësi, veçanërisht ato që lidhen me luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, Kallas ka vënë në dukje se sundimi i ligjit është jetik, jo vetëm për integrimin evropian, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Shteti i së drejtës është një nga themelet e Bashkimit Evropian, por edhe themeli i mirëqenies së një vendi. Nëse investitorët kanë besim te sistemi juaj ligjor, ata do të kenë besim të investojnë në ekonominë tuaj”, ka thënë ajo.