Kaltrinë Lohaj falënderon mbi 12 mijë votuesit: Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tim politik

12 qershor 2026 | 23:53

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputete, Kaltrinë Lohaj, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, ku ka siguruar mbi 12 mijë vota, ndërsa procesi i numërimit ende po vazhdon.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Lohaj ka thënë se besimi i qytetarëve e ka renditur atë ndër 10 gratë më të votuara në Kosovë, pavarësisht se kjo ishte hera e saj e parë në skenën politike.

Ajo e ka cilësuar këtë rezultat si një nder dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar se çdo votë e marrë do të shërbejë si motiv shtesë për të vazhduar angazhimin e saj në shërbim të qytetarëve.

Lohaj ka shprehur mirënjohje të veçantë për Lumnije Azemi Morinën, për besimin e dhënë ndaj saj që para angazhimit në politikë, si dhe për ekipin e saj, i cili, sipas saj, ka punuar me përkushtim gjatë fushatës zgjedhore.

Ajo ka falënderuar gjithashtu strukturat e PDK-së, kryetarët e degëve dhe nëndegëve, aktivistët, komisionerët dhe të gjithë mbështetësit që kontribuuan në arritjen e këtij rezultati.

“Ky rezultat nuk është fundi i një rrugëtimi, por fillimi i një përgjegjësie edhe më të madhe ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Do të vazhdoj të jem zëri juaj dhe të punoj me përkushtim për interesat dhe projektet e tjera politike”, ka shkruar Lohaj.

Postimi i plotë i saj:

Të dashur qytetarë,

Me përulësi dhe mirënjohje të thellë ju falënderoj për besimin dhe mbështetjen që ma dhatë në zgjedhjet e fundit, ku mora mbi 12,000 vota dhe numërimi ende po vazhdon.
Besimi juaj më bëri të jem ndër 10 gratë më të votuara në Kosovë edhe pse ishte hera ime e pare në skenën politike. Ky është një nder dhe përgjegjësi e madhe, për të cilën ju falënderoj nga zemra. Çdo votë për mua është një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin tim politik në shërbim të qytetarëve..

Një falënderim të veçantë ia kushtoj Lumnije Azemi Morina që ka besuar në mua ende pa qenë pjesë e politikës , gjithashtu ekipit tim të jashtëzakonshëm, i cili për 11 ditë fushatë punoi pa u lodhur, me përkushtim, energji dhe besim në vizionin tonë të përbashkët. Ky rezultat është fryt i punës dhe angazhimit të secilit prej jush.

Falënderoj gjithashtu strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarët e degëve dhe nëndegëve, aktivistët, komisionerët dhe çdo mbështetës që kontribuoi në këtë sukses. Angazhimi juaj ishte i pazëvendësueshëm.

Ky rezultat nuk është fundi i një rrugëtimi, por fillimi i një përgjegjësie edhe më të madhe ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Do të vazhdoj të jem zëri juaj dhe të punoj me përkushtim për interesat dhe projektet e tjera politike. .

Në këtë rrugëtim, mbi të gjitha, gjeta njerëz dhe miq të mirë,të cilët do të mbeten përjetësisht njerëzit qe me mbështeten në secilin vendim!

Faleminderit nga zemra për besimin, mbështetjen dhe respektin tuaj!

Me respekt dhe mirënjohje,
E juaja, Kaltrina.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, sot, në…